“100 vjet Besa”, Duka: Besa dhe qyteti i Kavajës meritojnë shumë më shumë, së shpejti stadiumi i ri

Në Kavajë u zhvillua ceremonia madhështore “100 vjet Besa”, me rastin e përvjetorit të 100-të të themelimit të klubit sportiv më të vjetër në vend. Në këtë ngjarje historike morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, Kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja, si dhe shumë personalitete, ish-futbollistë e qytetarë kavajas.

Gjatë ceremonisë u prezantua një dokumentar për historinë e klubit, u shpërndanë certifikata nderi, ndërsa këngëtari Ilir Sallaku interpretoi këngën dedikuar skuadrës verdhezi.

Një nga momentet kulmore ishte prezantimi i projektit të stadiumit të ri të Kavajës, që do të ndërtohet nga FSHF në bashkëpunim me Bashkinë e Kavajës. Stadiumi pritet të jetë i kategorisë 4 sipas standardeve të UEFA-s, me kapacitet 8 mijë vendesh dhe kushte moderne për çdo kategori.

Swiss Digital Desktop Reklama

Swiss Digital Mobile Reklama

Presidenti Armand Duka vlerësoi traditën dhe historinë e Besës, duke falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në 100 vitet e klubit, ndërsa theksoi rëndësinë e projektit të ri për rikthimin e futbollit kavajas në nivele të larta.

“Jam shumë i nderuar që në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit të falënderoj Presidentin e Republikës së Shqipërisë për pjesëmarrjen sot në këtë ceremoni, por edhe për kujdesin e tij për futbollin në vend. Një falënderim shumë të veçantë Kryetarit të Bashkisë Kavajë, jo vetëm për organizimin e ceremonisë, por për mbështetjen ndaj futbollit dhe për bashkëpunimin shumë të mirë me stafin e FSHF për ndërtimin e projektit të ri të stadiumit Besa.

Sot jemi për të festuar 100-vjetorin, datëlindjen e 100 të klubit futbollit Besa, të asaj që në Kavajë është paralelisht me fenë, është gjëja më e rëndësishme dhe më e dashur për qytetin. Në këtë përvjetor, unë do të doja të falënderoja ato që themeluan klubin Besa, do të doja të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar, t’i shpreh mirënjohjen dhe t’i falënderoj ata që kanë kontribuar në të gjithë këto 100 vite. Është e pamundur për mua dhe për këdo mbase edhe për Fatmir Eficën, që të përmendim të gjithë ata që kontribuan në klubin e futbollit Besa dhe në rezultatet e saj.

Besa ka qenë një nga klubet më të rëndësishme dhe me kontributet më të mëdha në futbollin shqiptar në kampionate, në ndeshje, në trofe. Ka luajtur disa finale dhe së fundmi nën drejtimin e Presidentit, Nexhat Bizhdili, fitoi Kupën e Republikës në vitin 2007, 2010 dhe Superkupën po në vitin 2010.

Unë do të doja t’i falënderoja me emër disa nga figurat e spikatura të futbollit kavajas, duke kërkuar falje, sepse, siç thashë, nuk mundet që në një ceremoni të tillë të përmenden të gjithë futbollistët që kanë kontribuar në zhvillimin e futbollit në Kavajë. Më të spikaturit që nga fillimi i saj: Irfan Berati, Sulejman Karkini, Fehmi Kazazi, Vasip Alushi, Qamil Teliti, Alush Merhori, Qemal Vogli, Hasan Germani, Dhimitër Dimroci, Qemal Gravardari, Agim Dizdari, Naim Allaj, Xhavit Daiu, Nimet Merhori, Zenel Kashami, Bujar Pagria, Azem Mullaliu, Dashnor Bajaziti, Altin Rraklli, Andi Lila, Sokol Cikalleshi, Besnik Dyla, Abdyl Kuriu, Mehglid Mihani, etj.

Ata përfaqësojnë historinë, pasionin dhe vlerat e vërteta të klubit të Besës, por jo vetëm ata, edhe shumë të tjerë. Por mbi të gjitha, ajo që ka bërë Besën të pavdekshëm është fryma e komunitetit dhe dashuria e kavajasve për futbollin.

Unë nuk jam dakord realisht me atë që tha kryetari i Bashkisë që sot 100-vjetori i Besës e ka gjetur në ditët jo shumë të mira. Futbolli është i bukur sepse duhet ta luash atë me pasion, pavarësisht në kategorinë dhe nivelin se ku luan. Duhet ta mbështetësh dhe ta dashurosh atë. Futbolli në Kavajë ka zhvillime pozitiv. Ka dyfishin e fëmijëve që luajnë futboll. Ka një infrastrukturë më të mirë për akademitë e futbollit në Kavajë. Por fatkeqësisht stadiumin ku duhet të luajë ekipi i parë nuk është në gjendjen më të mirë, apo nuk ekziston fare për arsye të tërmetit në vitin 2019, i cili e shkatërroi atë dhe nuk u rindërtua më. Por megjithëse gjashtë vite më vonë, në bashkëpunim me Bashkinë e Kavajës, ne kemi vendosur dhe kemi finalizuar projektin për ndërtimin e stadiumit të ri në Kavajë, i cili tashmë është miratuar.

Ky 100-vjetor është një moment për t’u ndalur, për të reflektuar mbi rrugën e gjatë të kaluar, por edhe për të ëndërruar më shumë për të ardhmen.

Besa dhe qyteti i Kavajës meritojnë shumë më shumë dhe pikërisht për këtë, Bashkia, klubi i Besës, Federata e Futbollit dhe gjithë komuniteti do bëjnë të pamundurën që të ofrojnë kushte më të mira, futboll më të mirë dhe më cilësor.

Unë ju falënderoj, i uroj shumë suksese futbollit në Kavajë. Ju uroj të gjithë fëmijëve të Kavajës të kenë kushte sa më të mira dhe të përkrahin lojën më të dashur të kavajasve dhe të gjithë botës”, – tha Presidenti Duka.

Presidenti i Republikës, Bejram Begaj në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh ndër të tjera: “Nuk është e lehtë të flasësh për atë që është më e dashur për një qytet, për njerëzit e atij qyteti e aq më pak e aq më shumë sidomos në jubile të tillë, në 100-vjetorin e klubit të futbollit Besa të Kavajës. Besa, skuadra jonë, është më shumë se sa një bluzë, është më shumë se sa një ndeshje apo rezultat, Besa e Kavajës është frymë, është frymë për nga mënyra e të qenurit dhe të jetuarit për njëri-tjetrin, është një familje ku kanë jetuar bashkë gjeneratat e shumta me dashurinë e thellë për futbollin. Në këtë ditë jubileu nderojmë të gjithë ata që e ndërtuan këtë histori, trajnerët që formuan breza të tërë sportistësh, futbollistë të cilët dhanë gjithçka për fanellën, tifozët kavajas që kurrë nuk e lanë skuadrën vetëm, të gjithë ata që e mbështetën dhe vazhdojnë ta mbështesin si edhe ata që e kanë dokumentuar dhe vazhdojnë të dokumentojnë historinë e saj. Urime 100-vjetorin e Besës!”

Ceremonia u mbyll me përzgjedhjen e “11 lojtarëve të shekullit” të klubit, një moment emocionues që përmbylli një mbrëmje plot kujtime, pasion dhe dashuri për futbollin kavajas.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?