11 fitore radhazi, Barcelona e Flick tashmë synon të arrijë rekordin e Rijkaard
Barcelona siguroi kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Mbretit, duke mposhtur Racingun me rezultatin 2-0. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 66-të nga Ferran Torres, ndërsa në sekondat e fundit të kohës shtesë ishte talenti Lamine Yamal ai që vulosi fitoren, duke konfirmuar edhe një herë formën e jashtëzakonshme të katalanasve.
Suksesi i fundit i lejon skuadrës së drejtuar nga Hansi Flick të arrijë fitoren e 11-të radhazi, duke barazuar serinë e dytë më të gjatë të fitoreve në historinë e klubit. Një arritje që Barcelona e kishte regjistruar më parë në vitet 1927, 1956, 2008 dhe 2015.
Rrugëtimi perfekt i blaugranave nisi më 29 nëntor dhe ka sjellë një varg rezultatesh bindëse: fitore ndaj Alaves (3-1), Atletico Madrid (3-1), Betis (5-3), Eintracht Frankfurt (2-1), Osasuna (2-0), Deportivo Guadalajara (2-0), Villarreal (2-0), Espanyol (2-0), Athletic Bilbao (5-0), triumfi spektakolar në “Clasico” ndaj Real Madridit (3-2), si dhe suksesi i fundit në Kupë.
Rekordi absolut i fitoreve radhazi mbetet ende në pronësi të Barcelonës së Frank Rijkaard, në sezonin 2005/06, e cila arriti në 18 suksese rresht. Për të barazuar atë rekord legjendar, Flick dhe të tijtë duhet të kalojnë pengesat e Real Sociedadit, Slavia Pragës, Real Oviedos, Kopenhagës, Elches, Maiorkës dhe Gironës. Ndërsa për të vendosur një rekord të ri historik me 19 fitore radhazi, testi final do të ishte përballja me Levanten.
KOHA JONË SONDAZH

