2 pikë larg ”play-out”, situatë e çuditshme te Teuta

Teuta ishte një nga ekipet me sulmin më të mirë dhe shkëlqente, aq sa kishin luksin të largonin dhe golashënuesin më të mirë, Amadu Latif. Për ironi të fatit, sot Teuta problemin më të madh ka pikërisht sulmin. Në këtë vit të Kategorisë Superiore, vetëm 8 gola kanë shënuar durrsakët në 13 javë kampionat, vetëm Luftëtari ka bërë më keq. Përballë Vllaznisë ishte i njëjti skenarë, i parë dhe riparë disa herë, prodhojnë futboll, kanë kontrollin e lojës por çalojnë shumë në metrat e fundit, kjo ishte sfida e radhës që nuk arrijnë të shënojnë, detaj tek i cili ndalet sërish trajneri Shkëmbi.

Teuta deri në këtë pikë sezoni është në një situatë absurde. Duket se ekipi është me një këmbë në fazën “play-off”, dy pikë larg Vllaznisë por njëkohësisht janë vetëm 2 pikë larg vendit të dytë. Bledi Shkëmbi nuk ka ndërmend të dorëzohet dhe nuk heq dorë nga objektivat e rëndësishëm, për fatin e tij të mirë, as rivalët e Teutës nuk po bëjnë më mirë.

Pas disa sezoneve, Teuta ndryshoi qasje duke investuar për të ndërtuar një ekip që minimalisht mund të pretendonte “zonën euro”. Në vitin e parë, sezonin e shkuar, ku investuan fuqishëm, durrsakët siguruan një biletë për në Europa League por ai ishte një sezon ku Teuta i kishte të gjithë kartat për të pretenduar diçka më shumë. Ekipit të Bledit Shkëmbit nuk i mungojnë numrat për të synuar me kohë të plotë europën por as titulli nuk do të ishte një ëndërr e pamundur duke parë se sa shumë kanë gabuar edhe rivalët e tjerë.

SHKARKO APP