
Të paktën tri kompani kineze kanë ndërprerë bashkëpunimin me Kylian Mbappé, pas disa deklaratave të futbollistit francez që dyshohet se lidhen me Mao Ce Dunin, themeluesin e Kinës komuniste, të cilin e përshkruan si diktator.
Prodhuesi i pijeve Dongpeng, grupi i industrisë së qumështit Mengniu dhe kompania e produkteve të djathit Milkground kanë njoftuar përfundimin e marrëveshjeve me kapitenin e kombëtares franceze. Në deklaratat e tyre, kompanitë theksuan se kundërshtojnë “çdo fjalë apo sjellje që lëndon ndjenjat kombëtare”.
Vendimi erdhi pas shpërndarjes në rrjetet sociale të një videoje, ku Mbappé, gjatë një interviste përpara pjesëmarrjes në emisionin online francez The Bridge, përmend një meme që paraqet një diktator kinez. Më pas, në materialin e publikuar shfaqet edhe një imazh i manipuluar, ku fytyra e futbollistit është vendosur mbi atë të Mao Ce Dunit.
Polemika është përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale kineze. Platforma RedNote ka njoftuar gjithashtu heqjen e materialeve promocionale që lidhen me futbollistin, ndërsa në Ëeibo, rrjetin social të njohur kinez, kanë marrë vëmendje të madhe hashtagët që lidhen me ndërprerjen e marrëveshjeve dhe bojkotimin e Mbappé.
Deri në momentin e raportimit, përfaqësuesit e futbollistit nuk kishin dhënë një reagim të menjëhershëm lidhur me zhvillimet. Rasti rrezikon të ndikojë në marrëdhëniet e Mbappé me tregun kinez, ku kompanitë vendase dhe ndërkombëtare investojnë shuma të konsiderueshme në marrëveshje marketingu me yjet e sportit botëror.
