3 lojtarë të tjerë të Partizanit dalin pozitiv me koronavirus, merret vendimi për derbin

Nuk kanë fund lajmet e këqija te Partizani. Dje rreth mesnatës tre futbollistë të tjerë, pas Boldorit dhe Feratit, kanë dalë pozitivë me “COVID-19”. Bëhet fjalë për Çinarin, Koten dhe Malën.

Mësohet se të tre lojtarët janë asimptomatikë dhe se nuk kanë shfaqur as problemin më të vogël shëndetësor.

Në total janë pesë futbollistë dhe kjo është goditje e rëndë për klubin e kuq, sepse këta lojtarë mund të rikthehen vetëm për ndeshjen e fundit të kampionatit, duke qenë se do t’i nënshtrohen karantinës 14-ditore.

NJOFTIMI I PARTIZANIT

Klubi i Partizanit, nëpërmjet një deklarate të bërë në mesin e natës (ora 01:08), konfirmoi lajmin se Çinari, Kote dhe Mala kanë rezultuar pozitivë, por ndërkohë kanë saktësuar se ndeshja sot me Tiranën do të luhet. Ja deklarata e klubit.

“FK Partizani njofton rezultatet e testeve të kryera nga ekipi për ‘COVID-19’. Në total janë kryer 50 tamponë, dhe nga përgjigjet zyrtare të konfirmuara nga ISHP-ja (Instituti i Shëndetit Publik), tre pjesëtarë të ekipit, Erald Çinari, Esat Mala dhe Kristi Kote, kanë rezultuar pozitivë me ‘COVID-19’ dhe janë asimptomatikë.

Pjesa tjetër e skuadrës, stafi dhe punonjës të klubit kanë dalë negativë. Në zbatim të protokollit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, lojtarët janë izoluar dhe nuk do të jenë pjesë e skuadrës për ndeshjen e radhës.

Ekipi gëzon gjendje optimale dhe pavarësisht mungesave, është gati për të dhënë maksimumin në derbin me Tiranën”, thuhet në deklaratën e Partizanit.

SHKARKO APP