400 çekë “trazojnë” Tiranën, ja çfarë pritet nesër në duelin vendimtar Shqipëri-Çeki
Shqipëria është në kërkim të një tjetër suksesi të madh kundër Çekisë. Pasi hapi rrugën e kualifikimit për në Gjermani, një vit më parë me fitoren 3-0, tashmë mund të jetë rasti për të hapur një tjetër rrugë drejt Botërorit 2026. Të kuqezinjtë realizuan meJasir Asani dhe më pas erdhi një dopietë e Taulant Seferit.
Sylvinho këtë herë do të ketë një grup të cunguar nga mungesat e shumta. Në mbrojtje nuk do të jetë sërish kapiteni Gjimshiti si dhe Kumbulla. Në sulm nuk do të jenë Broja dhe Manaj të dëmtuar, si dhe Mirlind Daku i pezulluar.
Atmosfera të shtunën në mbrëmje do të jetë spektakolare, pasi biletat janë shitur të gjitha që më 30 tetor. Në “Arenën Kombëtare” është radha për një tjetër 90-minutësh që do të sjellë emocione të shumta.
Mediat çeke konfirmojnë se në Shqipëri do të mbërrijnë 400 tifozë çekë, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë përplasje mes tifozerive. Në humbjen 2-0 muajin e kaluar në Çeki, u shpalosën disa flamuj denigrues ndaj shqiptarëve, ndaj dhe kujdesi do të jetë i shtuar. Përplasje mes tifozerive ka patur dhe në vitin e kaluar në Tiranë, si brenda dhe jashtë stadiumit.
Sa i përket formacionit, Sylvinho mes mungesave të shumta, nuk pritet të bëjë shumë surpriza. Në portë do të jetë Strakosha. Në krahët e mbrojtjes Mitaj dhe Balliut, ndërkohë që në qendër Ajeti dhe Ismajli.
Në mesfushë Asllani dhe Ramadani do të formojnë “digën” përpara mbrojtjes, ndërkohë që Qazim Laçi do të vendoset pak para tyre. Jasir Asani dhe Nedim Bajrami do të mbështesin Tucin të vetëm në sulm.
Sa i përket llogarive të grupit tonë B1 në Ligen e Kombeve, udhëhiqet nga përfaqësuesja çeke me 7 pikë e ndjekur nga ajo gjeorgjiane dhe shqiptare me 6 dhe skuadra ukrainase me 4. Kombëtares sonë i duhen 6 pikët në dy ndeshje për të qendër më pranë vendit të parë, ndërkohë që nga ana tjetër Çekisë i mjaftojnë edhe 4 pikë në kushte të caktuara. Gjithsesi e arrijmë apo jo objektivin, kuqezinjtë do të futen në fushë për të na dhuruar një tjetër mbrëmje të madhe, që mund të futet sërish në histori.
Një fitore e mundshme e kuqezinjve vlerësohet me koeficientin 3,20, ndërsa një sukses i Çekisë vlerësohet me koeficientin 2,25. Barazimi, një rezultat që gjithsesi na mban në lojë, vlerësohet me 3,25.