43 gola në 9 ndeshje, rekord golash dhe spektakël në Champions League
Ndërsa Serie A sapo ka regjistruar një rekord negativ me vetëm 11 gola të shënuar në një javë kampionati, në Europë atmosfera ka qenë krejt ndryshe. Champions League ka dhuruar spektakël të vërtetë, duke arritur rekordin absolut të golave në një mbrëmje të fazës së grupeve: 43 gola në vetëm 9 ndeshje, me një mesatare prej pothuajse 5 golash për takim (4.8).
Protagonistet e mbrëmjes kanë qenë Barcelona dhe Olympiacos, me katalanasit që kanë fituar 6-1, ndërsa spektakël total është parë në Leverkusen-PSG (2-7) dhe PSV-Napoli (6-2).
Spikatën gjithashtu edhe Arsenal-Atletico Madrid (4-0), Union SG-Inter (0-4) dhe Copenhagen-Borussia Dortmund (2-4). Nëse Kairat Almaty-Pafos nuk do të kishte përfunduar 0-0, rekordi do të ishte edhe më i lartë.
Ky rezultat e tejkalon rekordin e mëparshëm, që daton 26 nëntor 2024, kur ishin shënuar 40 gola në një raund të vetëm të fazës së grupeve. Vetëm një ditë më pas, më 27 nëntor, u regjistruan edhe 27 gola të tjerë, duke e çuar totalin e atij turi në 67 rrjeta, një rekord që mund të rrezikohet përsëri nesër, me ndeshjet e radhës të Champions-it që pritet të jenë po aq të zjarrta.

KOHA JONË SONDAZH

