5 transferimet rekord/ Nga Lorik Cana, tek i veçanti Kumbulla: Lista dhe shifrat

Shqiptarët nëpër botë janë të shumtë, mes tyre ka edhe nga ata që luajnë futboll dhe janë ambasadorë të denjë të vendit tonë. Një pjesë e tyre kanë lindur nëpër Europë dhe janë të suksesshëm, madje për ta janë paguar miliona euro që të transferohen në klube të ndryshme. “Abc News” publikon pesë transferimet rekord të lojtarëve të kombëtares, me shifrën më të madhe ta paguar që shkon në 5.8 milion euro. Lorik Cana është ai për të cilin është paguar më së shumti, por verën e ardhshme podiumin e merr Marash Kumbulla, pasi Roma e ka marrë nga Hellas Verona në huazim me detyrim blerje, në një operacion që përmbyllet me 30 milion euro.

Transferimet

Lorik Cana (5.8 milionë euro) – Në korrik të vitit 2009 u transferua në Premier League te Sunderland, pasi kishte spikatur në Francë me Marseille. Te gjiganti francez kishte mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Cana ka gjeneruar shifra të larta edhe nga dy transferime të tjera. PSG e shiti për 4 milion euro te Marseille në gusht të vitit 2005, ndërsa Sunderland te Gallatasay për 4.5 milion euro, në korrik të vitit 2010.

Etrit Berisha (5 milionë euro) – Në korrik të vitit 2017 Atalanta e bleu portierin e kombëtares shqiptare, pasi fillimisht e kishte huazuar për 700 mijë euro nga Lazio. Këtë shtator klubi nga Bergamo e shiti për 3.5 milion euro te SPAL dhe luan në Serie B.

Elseid Hysaj (5 milionë euro) – Shkodrani mund të kishte qenë transferimi më i shtrenjtë nga lojtarët e kombëtares, por Napoli refuzoi ta shiste në Angli te Chelsea. Empoli është klubi i vetëm që ka përfituar nga shitja e tij, në gusht të vitit 2015.

Giacomo Vrioni (4 milionë euro) – Sulmuesi i kombëtares shfaqet shpesh në fotot e Cristiano Ronaldos, si fitues në seancat stërvitore. Vrioni në janar të këtij viti u ble nga Juventusi, që pagoi për transferimin e tij te Sampdoria. Djaloshi nga Sukthi është aktivizuar kryesisht me Juventusin U23.

Marash Kumbulla (3 milionë euro) – Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ishte në qendër të vëmendjes gjatë gjithë merkatos së fundit. Klubet të shumta që e donin, por Roma u tregua më konkrete. 3 milion euro për huazimin e tij dhe në fund të sezonit shkojnë në arkat e Hellas Verona edhe 27 milion euro të tjera. Rekordi është i tiji, por është thjesht çështje kohe.

SHKARKO APP