6 fitore dhe 2 barazime, stadiumi “Fadil Vokrri” është një fortesë për Kosovën
Mbrëmja e sotme në Prishtinë pritet të mbajë të mbërthyer vëmendjen e gjithë shqiptarëve, teksa Kosova përballet me Turqinë në një sfidë që mund të hyjë në histori. Në stadiumin Fadil Vokrri Stadium, “Dardanët” luajnë një nga ndeshjet më të rëndësishme të tyre, me objektivin madhor: sigurimin e një bilete për në Kupën e Botës 2026.
Skuadra e drejtuar nga Franco Foda vjen në këtë përballje me moral të lartë dhe me statistika që japin arsye për optimizëm. Kosova rikthehet të luajë në shtëpi pas tre muajsh, aty ku ndeshjen e fundit e mbylli në barazim 1-1 ndaj Zvicrës, duke konfirmuar forcën që ka në terrenin vendas.
Forma në “Fadil Vokrri” është një nga armët më të forta të përfaqësueses. Në tetë ndeshjet e fundit në shtëpi, Kosova ka regjistruar gjashtë fitore dhe dy barazime, duke mbetur e pathyeshme dhe duke krijuar një atmosferë që shpesh ka rezultuar vendimtare.
Pas humbjes 3-0 ndaj Rumanisë më 6 shtator 2024, në kuadër të UEFA Nations League, që ishte edhe disfata e parë zyrtare nën drejtimin e Fodës, Kosova ka reaguar fuqishëm. “Dardanët” kanë ndërtuar një seri rezultatesh pozitive, duke triumfuar ndaj Qipros, Lituanisë dhe Islandës, ndërsa në qershor siguruan edhe dy fitore miqësore kundër Armenisë dhe Ishujve Komoro. Sot, përballë Turqisë, Kosova nuk luan vetëm një ndeshje futbolli, por një kapitull që mund të shënojë historinë e saj sportive.
KOHA JONË SONDAZH

