7 gola në 5 ndeshje: Ernest Muçi drejt rekordit unik me Trabzonsporin
Ernest Muçi po shkëlqen në futbollin turk, duke u shndërruar në lojtarin më në formë të momentit. Me 7 gola dhe 1 asist në pesë ndeshjet e fundit, sulmuesi shqiptar ka treguar një rendiment të jashtëzakonshëm, duke mos u tejkaluar nga asnjë tjetër në ligën turke. Kjo performancë e lartë e Muçit në radhët e Trabzonsporit nuk është parë prej 11 vitesh, që kur braziliani Paulo Henrique kishte shifra të ngjashme.
Nëse Muçi arrin të shënojë edhe në takimin e ardhshëm, ai do të vendosë një rekord absolut dhe unik për Trabzonsporin, pasi asnjë futbollist tjetër në historinë e klubit nuk ka arritur një seri të tillë golash. Kjo e bën atë një objektiv të dëshirueshëm për shumë klube.
Paraqitjet mbresëlënëse të Muçit kanë nxitur drejtuesit e Beshiktashit, klubit nga Stambolli që zotëron kartonin e tij, të rishikojnë pozicionin e tyre. Ai u transferua këtë verë te Trabzonspori në formë huazimi me të drejtë blerjeje për 8.5 milionë euro. Megjithatë, Beshiktashi, i cili e bleu Muçin nga Legia e Varshavës për 10 milionë euro rreth një vit më parë, tani refuzon të negociojë për këtë shifër, duke synuar të rikuperojë investimin e plotë të bërë.
KOHA JONË SONDAZH

