82 gola në 3 javët e para në Seria A dhe asnjë barazim pa gola
Serie A po dhuron një fillim sezoni me më shumë gola dhe spektakël. Edhe pse kampionati italian vazhdon të jetë prapa ligave të tjera të mëdha europiane në aspektin ekonomik, në fushën e lojës statistikat e para janë premtuese.
Pas tri javëve të para, Serie A është i vetmi nga pesë kampionatet kryesore europiane që ende nuk ka regjistruar asnjë barazim 0-0. Një e dhënë që bie veçanërisht në sy duke e krahasuar me sezonin e kaluar.
Në 30 ndeshjet e para të sezonit të kaluar ishin regjistruar tashmë tre barazime pa gola, ndërsa numri total i golave kishte shkuar në vetëm 65.
Këtë sezon situata është krejt ndryshe: pas tri javëve të para janë shënuar 82 gola, plot 17 më shumë se në të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar.
Bëhet fjalë për një shifër që nuk ishte arritur në këtë fazë të kampionatit që prej vitit 2021, duke sinjalizuar një Serie A më ofensive dhe më spektakolare.
Një prej faktorëve që mund të ketë ndikuar në këtë trend janë edhe udhëzimet e reja të arbitrimit, të propozuara nga Orsato, të cilat synojnë një futboll më të rrjedhshëm.
Në javët e para të kampionatit është vënë re një ulje e numrit të faulleve, ndërsa koha efektive e lojës është rritur. Si pasojë, skuadrat kanë më shumë mundësi për të krijuar aksione dhe raste shënimi.
Dhe statistikat e konfirmojnë: më shumë lojë, më shumë raste dhe, mbi të gjitha, më shumë gola.
KOHA JONË SONDAZH

