9 gola në Hungari, Italia fitore në “frymën e fundit” ndaj Izraelit
Italia ka marrë një fitore dramatike 5-4 ndaj Izraelit në kualifikueset e Botërorit 2026, duke regjistruar suksesin e dytë radhazi nën drejtimin e trajnerit Rino Gattuso dhe duke e arritur Izraelin me 9 pikë në renditje.
Në fushën neutrale të Debrecenit, “axurrët” vuajtën agresivitetin e izraelitëve dhe u detyruan dy herë të përmbysin rezultatin. Fillimisht, në minutën e 16-të, një autogol i Manuel Locatellit i dha epërsinë rivalëve, por Italia barazoi në minutën e 40-të me Moise Kean, pas një aksioni të kombinuar me Reteguin.
Në pjesën e dytë, Dor Peretz riktheu sërish Izraelin në avantazh në minutën e 52-të, por vetëm dy minuta më pas ishte përsëri Kean që gjeti rrugën e rrjetës, sërish me asist të Reteguit. Vetëm pak minuta më vonë, në të 58-ën, Matteo Politano përmbysi gjithçka duke shënuar golin e tretë, pas asistit të tretë personal të Reteguit.
Italia dukej se e kishte mbyllur sfidën kur Giacomo Raspadori realizoi në minutën e 81-të për 4-2, por fundi i ndeshjes solli emocione të forta. Në minutën e 87-të, një autogol i Bastonit e bëri 4-3, ndërsa Dor Peretz shënoi edhe golin e dytë personal në minutën e 89-të, duke barazuar 4-4. Kur gjithçka dukej e mbyllur, Sandro Tonali gjeti golin e fitores në minutën e 91-të, duke vulosur një triumf të jashtëzakonshëm për Italinë.
KOHA JONË SONDAZH

