A është ky formacioni që mund të na çojë në Kupën e Botës 2026?
Play Off i Kupës së Botës do të luhet në fundin e marsit, por vëmendja është te forma e mirë që po kalojnë disa nga legjionarët tanë. Së fundmi kemi ndërtuar një formacion, që mund të jetë ideal për ndeshjen ndaj Polonisë në Varshavë dhe më pas për finalen e mundshme ndaj Ukrainës apo Suedisë.
Bie në sy balanca mes përvojës dhe energjisë së re: Strakosha në portë, një treshe solide në qendër të mbrojtjes me Gjimshitin e Ismajlin, krahë të sigurt si Hysaj dhe Mitaj, ndërsa në mesfushë Asllani e Laçi sjellin teknik dhe dinamizëm. Përpara, kreativiteti i Mucit dhe vrulli i Mehmetit ofrojnë zgjedhje të reja, ndërkohë që Arbër Hoxha për momentin duket garanci. Në majën e sulmit, Broja mbetet pika e referencës, me shpresën se do të jetë në formë në atë periudhë.
Ecuria e fundit e Anis Mehmetit dhe Ernest Mucit ka rritur ndjeshëm presionin pozitiv për përfshirjen e tyre në listën përfundimtare. Të dy futbollistët kanë shkëlqyer me klubet respektive, duke prodhuar gola dhe spektakël dhe me këtë ritëm e meritojnë një ftesë.
Forma e tyre është bërë një temë e nxehtë në opinionin sportiv, duke u parë si zgjedhja e duhur për të rritur fantazinë në repartin ofensiv. Arbër Hoxha ndërkohë ka dhënë shumë sinjale pozitive me gola në ndeshjet e fundit.
Me këtë kombinim lojtarësh, nga përvoja e Hysajt te shpërthimet e talenteve të rinj, mbetet pyetja e madhe: a mund të jetë ky formacioni që i hap Shqipërisë dyert e Kupës së Botës? /Rozalb Lika-Koha Jonë/

KOHA JONË SONDAZH

