Adolfo Sormani debuton në derbin e kryeqytetit: Janë njëlloj në të gjithë botën, vlen vetëm fitorja
Për Adolfo Sormanin është derbi i parë në pankinën e Partizanit, por debutimi nuk e tremb aspak teknikun e skuadrës së kuqe të kryeqytetit. Për teknikun në të gjithë botën sfidat derbi janë njëlloj dhe e rëndësishme është vetëm fitorja.
“Ndeshjet derbi janë të veçanta e plot rivalitet në të gjithë botën. I tillë është edhe derbi i Tiranës. Do ta konsideroja si një ndeshje të radhës në kampionat, pavarësisht se për opinionin sportiv nuk është e tillë. Do të doja që të ishte një ndeshje “fair-play” brenda kuadratit të fushës. Ne do të bëjmë gjithçka për të fituar, sepse kështu kënaqim edhe tifozërinë tone”- tha Adolfo Sormani.
Sa i përket tifozëve, raporti i tyre me trajnerin nuk është më i miri. Sormani nuk shqetësohet për këtë çështje, por sigurisht fitorja do të ndryshonte tërësisht atmosferën.
“Nuk mendoj për të ardhmen. Unë jam i fokusuar vetëm në të tashmen. Po punoj fort dhe mjaft mirë me skuadrën dhe grupin që kam në dispozicion, me objektivin për ta kaluar me sukses ndeshjen e radhës”- shprehet trajneri.
Derbi i kryeqytetit do të thotë shumë për Partizanin edhe sa i përket garës së titullit kampion. Pas tre ndeshjeve të luajtura deri tani në Superligë, të kuqtë e kryeqytetit renditen në vendin e dytë me dy pikë më pak se rivalët e Skënderbeut.
KOHA JONË SONDAZH

