Ajeti: Do të japim gjithçka ndaj Serbisë, synimi jonë janë 3 pikët
Në prag të sfidës së shumëpritur mes Serbisë dhe Shqipërisë, mbrojtësi kuqezi Arlind Ajeti doli sot në konferencë për shtyp, ku ndau mendimet e tij për duelin që pritet të jetë i fortë, si në aspektin sportiv ashtu edhe emocional.
“Normalisht që emocionet janë gjithmonë të pranishme para çdo ndeshjeje, por mundohemi ta shohim këtë si një ndeshje futbolli. Duam të jemi profesionistë në çdo aspekt. Synimi ynë është të japim maksimumin dhe të marrim tri pikët,” tha Ajeti.
Mbrojtësi kuqezi pranoi se përballja do të jetë sfiduese, duke vlerësuar kundërshtarin: “Serbia ka lojtarë shumë cilësorë në çdo repart. Mitroviç është fizikisht shumë i fortë, ndërsa Vlahoviç po kalon një formë të mirë te Juventusi. Do t’i analizojmë me kujdes të gjithë dhe do përgatitemi për çdo situatë.”
Ajeti theksoi gjithashtu se luajtja jashtë fushe e bën ndeshjen edhe më të ndërlikuar: “Do të jetë më e vështirë, sepse çdo ndeshje jashtë fushe është e tillë. Ata do kenë mbështetjen e tifozëve, ndërsa ne jo, por kjo nuk na ndalon. Do të japim gjithçka, si gjithmonë.”
Në fund, ai foli edhe për balancën mes mbrojtjes dhe sulmit: “Nuk besoj se ne mbrojtësit mund t’u japim këshilla sulmuesve, ata e dinë çfarë duhet të bëjnë. Ne do të përpiqemi të mbajmë portën të paprekur, ndërsa ata të shfrytëzojnë rastet që do të krijohen.”
KOHA JONË SONDAZH

