Akanji bind Interin, zikaltrit gati ta blejnë përfundimisht kartonin e tij në verë
Për Manuel Akanji, një titull në Serie A do të kishte një domethënie të veçantë. Mbrojtësi zviceran ka fituar trofe në çdo kampionat ku ka luajtur më parë në Zvicër me Baselin, në Gjermani me Borussia Dortmund dhe në Angli me Manchester City ndërsa një sukses me Interin do ta pasuronte më tej palmaresin e tij.
Interi e mori Akanjin nga Manchester City në formë huazimi me të drejtë blerjeje prej 15 milionë eurosh. Në kontratë ekziston edhe një klauzolë sipas së cilës, nëse zikaltrit fitojnë titullin kampion, opsioni i blerjes bëhet automatik. Megjithatë, drejtuesit e klubit janë të vendosur ta blejnë kartonin e tij edhe pa këtë kusht, për shkak të paraqitjeve shumë pozitive të mbrojtësit.
Akanji ka zhvilluar deri tani 13 ndeshje në Serie A, të gjitha si titullar dhe pa u zëvendësuar asnjëherë. Trajneri Chivu e ka lënë në stol vetëm në Superkupë ndaj Bolognës dhe në Kupë kundër Venezias. Ai është i katërti në skuadër për pasime të kompletuara për ndeshje (61.6 çdo 90 minuta) dhe i dyti për duele të fituara.
Fleksibiliteti i tij është një tjetër vlerë e madhe. Akanji mund të luajë si qendërmbrojtës ashtu edhe në krahë, duke i dhënë Interit më shumë alternativa taktike.
Në prag të 31-vjetorit, zvicerani ka treguar qartë dëshirën për të qëndruar në Milano: “Jam i lumtur këtu dhe shpresoj të vazhdoj me Interin”. Edhe klubi ndan të njëjtën ndjenjë.
KOHA JONË SONDAZH

