Aktori Vedat Bajrami: Zhegrova magjik, është si një Ferrari që del me zhurmë nga garazhi!
Vedat Bajrami, aktori i njohur kosovar dhe një mik i ngushtë i Edon Zhegrovës, ka treguar emocionet e para pas debutimit yllit kosovar me fanellën bardhezi në Champions League kundër Dortmundit. Ai foli për portalin “TuttoJuve”.
“Zhegrova ndryshoi ndeshjen për 10 minuta. Është kjo magjia e tij?”
“Futbolli është një sport i mrekullueshëm për tifozët. Po e them me gjithë sinqeritet: Edoni ka lindur me topin në këmbë, është karizmatik dhe plot energji të pabesueshme. Është e vështirë për një lojtar të tregojë vlerën e tij vetëm në 10 minuta, por ai arrin ta bëjë këtë magji. Dhe është shumë e thjeshtë: me pasime inteligjente dhe krijuese”.
“Ke folur me Edonin pas ndeshjes? Si ishte humori i tij?”
“Edhe pse nuk kishte luajtur për gati tetë muaj, Edoni ishte si një Ferrari i parkuar në garazh, por plotësisht i karikuar e gati pwr tw bwrw zhurmw. Atë mbrëmje doli nga garazhi. Pas ndeshjes më telefonoi si gjithmonë… ishte plot energji nga loja e bukur e Juventusit dhe pasioni i tifozëve. Ato 10 minuta më dukën si një çast i vetëm. Debutimi i tij ishte vërtet i jashtëzakonshëm”.
“Sa gola dhe asistime mendon se do të bëjë Edoni këtë sezon me Juventusin?”
“Shpresoj që këtë vit të qëndrojë i shëndetshëm, të shmangë dëmtimet dhe, bashkë me shokët e skuadrës, të realizojë diçka të jashtëzakonshme”.
“Na trego diçka për Edonin që ndoshta nuk e dimë?”
“Edoni është rritur në një qytet plot histori, në Prishtinën e bukur. U formua në disa ekipe të mira europiane dhe tani, në momentin më të pjekur të karrierës së tij, është bërë pjesë e një klubi historik si Juventusi. Edoni nuk është vetëm një njeri i jashtëzakonshëm, por edhe një lojtar i nivelit më të lartë. Besoj se lojtarët e mëdhenj lindin për klube të mëdha si Juventus”.
“Në Kosovë dhe Shqipëri, sigurisht është folur shumë për transferimin e tij. Çfarë mendon?”
“Juventusi ka shumë tifozë shqiptarë që e duan dhe e ndjekin me pasion këtë klub. Dua t’i përshëndes të gjithë ata, ashtu si tifozët dhe gjithë stafin e kësaj skuadre historike dhe emocionuese – Zonja e Vjetër. Edoni ka ardhur për të luftuar për këtë fanellë dhe është i paduruar të tregojë klasën dhe zemrën e tij të madhe: të japë asiste, të shënojë gola dhe të forcojë akoma më shumë shpirtin bardhezi. Shpresoj që kjo të ndodhë shumë shpejt. Unë ëndërroj një Juventus të fortë, ashtu siç jam rritur duke parë futbollin italian me legjenda si Pirlo, Maldini, Nesta, Del Piero, Totti dhe shumë të tjerë”.
“Është frymëzuar nga Messi, por ka hyrë në klubin ku ka luajtur rivali i tij i përjetshëm Cristiano Ronaldo. Ke menduar ndonjëherë për këtë?”
“Është e vërtetë, të gjithë rritemi duke u frymëzuar nga legjendat tona, dhe Edoni është frymëzuar nga Messi. Edhe Ronaldo është një lojtar i jashtëzakonshëm botëror, që ka arritur suksese të jashtëzakonshme. Edhe pse Ronaldo ka qenë pjesë e Juventusit dhe është një legjendë, do të jetë e mrekullueshme të shohim frymën e Messit tek Juventusi përmes Edon Zhegrovës”.
“Kam lexuar që Edoni shkruan edhe këngë. Do të vijë e para për Juventusin pas golit të parë?”
“E kam zbuluar edhe unë në një intervistë për një gazetë italiane këtë talent të tij për muzikën. Ai e bën për shpirtin e tij dhe për frymëzimin personal, por shpresoj të bëhet një këngë e madhe për skuadrën legjendare të Juventusit. Fino alla Fine, Forza Juve!”. /R.Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

