Alban Xhaferi reagon pas pezullimit: Zero tolerancë për të gjithë, jo standard të dyfishtë!
Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, ka reaguar publikisht pas vendimit të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës, i cili e pezulloi për 6 muaj dhe i ndaloi hyrjen në çdo stadium apo fushë futbolli.
Xhaferi e ka pranuar përgjegjësinë për incidentin në ndeshjen Elbasani-Vllaznia, ku goditi me grusht arbitrin e katërt, ndërsa ka theksuar se do ta respektojë vendimin. Megjithatë, në reagimin e tij ai kërkon që i njëjti standard të aplikohet ndaj të gjithë aktorëve të futbollit.
“Kam pranuar përgjegjësinë time, kam kërkuar publikisht ndjesë për veprimet e mia dhe vendimin e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës do ta respektoj. Por pikërisht për këtë arsye, besoj se kam sot të drejtën dhe detyrimin të kërkoj që i njëjti standard të vlejë për të gjithë”, shkruan Xhaferi.
Në vijim, kreu i klubit shkodran rikthen në vëmendje një episod të ndodhur më 23 maj 2026, në përballjen Vllaznia-Egnatia në “Final Four”. Sipas tij, futbollisti i Egnatias, Aliev, goditi me bërryl në fytyrë Erdenis Gurishtën, duke i shkaktuar dëmtim serioz në hundë, por nuk u ndëshkua me karton të kuq.
Xhaferi kritikon edhe arbitrin Enea Jorgji dhe gjyqtarin e VAR-it, Juxhin Xhaja, duke pretenduar se ndaj tyre nuk pati masa disiplinore publike për atë episod.
“Unë nuk kërkoj privilegj për Vllazninë. Nuk kërkoj një standard tjetër për veten. Kërkoj pikërisht të kundërtën: të njëjtin standard për të gjithë”, thekson ai.
Në fund, Xhaferi i drejton dy pyetje publike FSHF-së, duke vënë në diskutim nëse Jorgji dhe Xhaja mund të garantojnë qetësinë dhe besimin në rast se caktohen sërish në ndeshjet e Vllaznisë.
Sipas tij, lufta ndaj dhunës në futboll nuk mund të kufizohet vetëm te ndëshkimi i atyre që reagojnë, por duhet të shoqërohet edhe me drejtësi, transparencë dhe përgjegjësi për çdo aktor të garës.
KOHA JONË SONDAZH

