Aliaj flet si agjent: Rrahmani e ka mbyllur me Napolin, Roshi ka oferta nga La Liga
Ish-futbollisti i Kombëtares, Ardian Aliaj ka zbuluar disa prapaskena shumë interesante për merkaton e futbollistëve shqiptarë. Amir Rrahmani është praktikisht lojtar i Napolit, ku mbeten vetëm disa detaje teknike për t’u zgjidhur, ndërsa Odise Roshi është në negociata për t’u transferuar drejt La Liga-s spanjolle.
“Rrahmani te Napoli është e mbyllur. Janë gjëra teknike, të cilat pritet t’i mbyllim javën e ardhshme. Është privilegj të jesh menaxher i Rrahmanit dhe ta çosh te Napoli. Ka qenë një punë e madhe, me peripeci, që kemi ardhur deri këtu. Por jam shumë krenar për lojtarin pasi e meriton.
Rrahmani është një djalë që ka punuar shumë. Lojtarët shqiptarë duhet të kenë besim te vetja, në punën e tyre, se mund të arrihet gjithçka. Unë jam agjent edhe i Roshit dhe kemi shumë interes nga Spanja, nga La Liga. Po pres me shumë ankth lajmet nga Spanja. Shpresa që “raketa” jonë Odi të fluturojë për Spanjë. Këto janë të rejat aktuale”, u shpreh Aliaj për A2.