Allegri: Derbi është ndeshje speciale, kam disa dyshime për formacionin
Juventus-Torino është super ndeshja që do të hapë javën e 26-të në Seria A. Derbi i Torinos pritet të dhurojë emocione, teksa më e motivuar duket se është skuadra e Allegrit që synon të ruajë vendin e katërt. Trajneri Allegri e ka pranuar këtë verdikt në konferencën për shtyp para duelit.
“Është gjithmonë një ndeshje speciale, që të luash ndaj një skuadre si Torino që luan me shpirt dhe ka një trajner si Juric. Nesër besoj se të gjitha biletat do të jenë të shitura, pasi kemi nevojë dhe për tifozët. Shpresoj që të kemi mësuar diçka nga dy ndeshjet e fundit, pasi do të jetë dueli i tretë ndaj një ekipi që luan në të njëjtën mënyrë.
Skuadra ka bërë paraqitje të mira. Kemi pësuar një gol fantastik. Le ta shohim gotën plotë, të luash ndaj Atalantës nuk është e lehtë, morëm një pikë të mirë përballë tyre. Duhet të vazhdojmë rrugëtimin tonë, duke marrë pikët e duhura për ta mbyllur në vendin e katërt.
Kur barazon duket sikur ke humbur dy pikë, por në fund të kampionatit mblidhen të gjithë pikët e sezonit. Mjafton të kishim barazuar dy ndeshjet ndaj Empolit dhe Sassuolos dhe tashmë renditja do të ishte ndryshe.
Nesër është një ndeshje e komplikuar, nuk e di nëse do t’i hedhë në fushë të tre titullarët. Bonucci nuk do të jetë për shkak të një lodhje, shpresojmë të jetë të martën. De Ligt dhe Rugani kanë bërë shumë mirë. Në mesfushë kam dy dyshime, mes Zakaria dhe Mckennie dhe Locatellit dhe Arthur”, deklaroi Allegri. /R.Lika-Koha Jonë/