Allegri rikthehet me ambicie te Milani: Synojmë Champions League, kjo është shtëpia ime
Massimiliano Allegri ka bërë deklarata të forta gjatë konferencës për shtyp në prag të miqësores së fundit të turneut veror të Milanit, që do të luhet më 31 korrik kundër Perth Glory. Trajneri i rikthyer te kuqezinjtë, pas 15 vitesh, është i vendosur: qëllimi është kthimi në Champions League.
“Milani është një nga klubet më të mëdha në botë dhe duhet të luajë në Champions League. Kur vesh këtë fanellë, ndjen përgjegjësinë për të përfaqësuar një klub historik dhe duhet të japësh gjithmonë maksimumin”, tha Allegri, duke theksuar rëndësinë e sezonit që vjen.
Skuadra ka treguar shenja pozitive në ndeshjet miqësore ndaj Arsenalit dhe Liverpool-it, dhe sfida ndaj Perth Glory pritet të shërbejë si një tjetër test për të vlerësuar formën e ekipit. Milani do ta nisë sezonin zyrtar më 17 gusht, në sfidën e Kupës së Italisë ndaj Barit.
“Do të luajmë në një stadium të bukur kundër një ekipi që ka arritur rezultate të mira. Pres përmirësime si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë teknik. Më pëlqen fakti që ekipi ka filluar të luajë në mënyrë më proaktive dhe ka rritur ndjeshëm nivelin e përballimit të presionit”, tha ai për Eurosport.
Në fokus ishte edhe Rafael Leao, i cili shkëlqeu në fitoren ndaj Liverpool-it me një gol dhe një asist. “Ka cilësi të jashtëzakonshme. Po tregon rritje dhe është në moshën e duhur për të bërë një sezon të madh”, përfundoi trajneri.

KOHA JONË SONDAZH

