Analiza e Tiranës, pa aleatë deri në fund për një trofe të panjollosur
Tirana zhvilloi për 42 minuta një mbledhje për të analizuar ecurinë e deritanishme si dhe për të pasur një ecuri sa më të mirë në pjesën e mbetur të këtij sezoni. Mbledhja është zhvilluar në zyrat e klubit të Tiranës ku presidenti Refik Halili, stafi teknik dhe futbollistët kanë parashtruar problematikat e shfaqura gjatë ditëve të fundit dhe masat që janë marrë para mbylljes së kampionatit.
Analiza e Tiranës
Presidenti i Tiranës Refik Halili, stafi teknik dhe futbollistët bardheblu kanë diskutuar gjatë ditës së djeshme mbi ecurinë e dy javëve të fundit, pas humbjes në derbi ndaj Partizanit si dhe barazimit të fundit pa gola me Teutën në Durrës, ku 24 herë kampionët e vendit lanë plot pesë pikë duke u larguar ndjeshëm nga pretendimet e tyre për titullin kampion. Pas humbjes 2-1 në ndeshjen derbi ishte Refik Halili që vendosi të rikthente në stol trajnerin Gugfash Magani, pasi ky i fundit kishte dhënë dorëheqjen. Sa i përket barazimit në Durrës dhe të ardhmes së mëtejshme të stafit teknik, gjithçka është kaluar me një fjali të vetme nga presidentit Halili, i cili ka ritheksuar besimin e palëkundur që ka për trajnerin Magani, por edhe synimet e tij që kjo marrëveshje të zgjasë të paktën deri në fund të këtij sezoni. Tirana nuk la pa kursyer as akuzat ndaj ekipeve të tjera rivale, që shumë ndeshje i kanë fituar falë aleancave që janë krijuar në fund të këtij sezoni. Vetë bardheblutë kanë përjashtuar mundësinë që të kenë krijuar ndonjë aleancë për të fituar qoftë edhe një ndeshje të vetme dhe për këtë arsye besojnë se janë shkëputur gjatë pikë nga kryesuesit e Skënderbeut, 4 pikë nga Kukësi dhe dy pikë nga Partizani. Megjithatë në garë deri në fund janë edhe 9 javë dhe Tirana është e vendosur të fitojë sa më tepër pikë si dhe rivalitetin me ekipet e tjera për të fituar titullin kampion, trofe që i mungon prej vitit 2009. Presidenti Refik Halili theksoi gjatë analizës së djeshme se Tirana do të jetë e tillë dhe pa aleatë deri në ndeshjen e fundit dhe se gjithsecili duhet ta shikojë një zgjedhje të tillë si një detyrim për ngjyrat qe përfaqësojnë këtë ekip por edhe për respektin ndaj tifozëve, që në fakt, më tepër se për të parë teatër dhe një trofe pa shumë vlera në fund, paguajnë për biletën që të shohin futboll në stadium. Në kampin bardheblu, thuajse të gjithë janë në një mëndje se do të luajnë deri në sekondën e fundit për trofe, por nuk e duan një të tillë, të njollosur, në fund.
Portieri Frashëri
Gjatë analizës së djeshme mungoi portieri Stivi Frashëri, 24 vjeç, i cili pas derbit duket se ka humbur edhe kontrollin jashtë fushave të blerta. Fillimisht me të u bë zhurmë për një status në rrjetin social facebook dhe më pas u përgënjeshtrua se nuk ishte shkruar asgjë prej tij. Por me gafën që bëri në derbi ndaj Partizanit, si dhe më pas me polemikat tronditëse të shpërthyera ne faqen e tij në facebook, presidenti Refik Halili është shprehur se kjo çështje do të ketë një zgjidhje ekskluzive nga ana e tij, më konkretisht pezullim pa afat për portierin si dhe një gjobe më ndalimin e 3 muajve rrogë.
Elis Bakaj, në Gjermani për një mjekim më të specializuar
Gjatë mbledhjes dhe analizës së djeshme të Tiranës, ka pasur një kërkesë nga ana e golashënuesit më të mirë të skuadrës, Elis Bakaj. Ai kërkoi disa ditë leje, që të largohet drejt Gjermanisë ku pritet t’i nënshtrohet një trajtimi më të specializuar mjekësor mbi dëmtimin e pësuar në ndeshjen e tre javëve më parë ndaj Skënderbeut. Bakaj është dëmtuar në gju dhe mungesa e tij mund të konsiderohet një humbje tjetër e madhe për objektivat e skuadrës së Tiranës, që në këtë fund të kampionatit kishte më shumë se kurrë nevojë për shërbimet e tij. Megjithatë, edhe pse pas dy rezultateve zhgënjyese dhe mungesës së Bakaj, Tirana beson se mund ta mbyllë me sukses këtë edicion.
KOHA JONË SONDAZH

