Analiza/ Fitues dhe cinik, rikthehet Juventusi i vërtetë i Allegrit

Të fitosh është e vetmja gjë që ka rëndësi. Motoja e vjetër e bardhezinjve gjend shprehjen e saj më të përsosur te Massimiliano Allegri. “Zonja e Vjetër” është rikthyer te stofi i vjetër, ndërsa pasiguritë e mbrojtjes dhe portierit Shezni janë hedhur pas krahëve. Juventus ka fituar 7 ndeshje nga 8 të fundit, por ajo që është më me rëndësi është fakti që 4 përballjet e fundit janë fituar minimalisht 1-0.

Torinezët kanë tashmë sigurinë e mjaftueshme për të pritur, për t’u mbrojtur larg portës së tyre dhe për të besuar te kualitetet individuale. Formula e Allegrit për t’u mjaftuar edhe me një gjysmë goli funksionon, mbi të gjitha në Evropë, atje ku gjëja më e rëndësishme janë 3 pikët. Përballë Zenitit, bardhezinjtë demonstruan armën më të fortë, durimin. Të presësh momentin e duhur për të goditur një skuadër inferiore, që vuan të krijojë në sulm dhe që mbyllet prapa për të shpresuar në një pikë.

Max Allegri po tregon se di t’ia transmetojë mirë idenë e tij taktike skuadrës, e cila në disa raste, edhe për shkak të mungesave, ka qenë zgjidhja e vetme për të fituar. Trajneri i Juventusit ka vlerësuar karakteristikat e ekipit të tij dhe ka vërtetuar se kjo skuadër mund të luajë vetëm në këtë mënyrë. Sarri dhe Pirlo u përpoqën që të ndryshonin logjikën e një ekipi që është formuar prej dekadash me këtë stil futbolli. Pas dy vitesh ata janë rikthyer si më parë. Rezultatet po tregojnë se Max Allegri ka rigjetur rrugën e duhur.

 

SHKARKO APP