ANALIZA/ Interi i jep fund ëndrrës tripletë, disfata ndaj Milanit mund të “dërrmojë” zikaltrit
Humbja në një derbi është gjithmonë e dhimbshme, por kur vjen me një rezultat të rëndë 3-0 dhe sjell përjashtimin nga objektivi që është tripleta, atëherë situata bëhet akoma më e vështirë. Interi u eliminua nga Kupa e Italisë në mënyrën më të keqe të mundshme, me një humbje të thellë ndaj Milanit në gjysmëfinale, që i jep fund ëndrrës për të fituar tre trofe në një sezon.
Ky dështim mund të lërë pasoja të rënda në aspektin psikologjik te skuadra e Simone Inzaghit, e cila duhet të reagojë menjëherë për të mos rrezikuar edhe titullin në Serie A. Tashmë, sfida e radhës kundër Romës të dielën është vendimtare për të kuptuar nëse kjo goditje ka lënë pasoja afatgjata. Napoli po qëndron në pritje dhe çdo hap fals mund t’i kushtojë shtrenjtë Interit në garën për titullin kampion.
Kjo humbje vjen pas një tjetër zhgënjimi, atë në Bologna, ku Interi u mund në minutat e fundit. Dy disfata radhazi për një skuadër që nuk është mësuar të përballet me kriza të tilla mund të sjellin pasiguri dhe rënie të formës në një moment kyç të sezonit. Edhe pse në fillim të ndeshjes ndaj Milanit zikaltrit kishin kontrollin dhe dominuan për 30 minuta, mungesa e reagimit pas pësimit të golit ishte shqetësuese. Dhe kjo mungesë e shpirtit luftarak, që e ka karakterizuar Interin në këtë sezon, është ajo që po ngre më shumë dyshime.
Mesfushori Barella pas humbjes në Bologna kishte deklaruar: “Një humbje është gjithmonë e vështirë për t’u përtypur, por nuk duhet të kemi justifikime”. Fjalë që sot tingëllojnë si një paralajmërim serioz për një skuadër që rrezikon të përfundojë sezonin pa asnjë trofe, ndonëse ende është në garë për kampionatin dhe Champions League.
Tifozët shpresojnë që humbja e derbit të shërbejë si një “shock” pozitiv për të ndezur sërish motorët dhe për të parë një reagim të fortë ndaj Romës. Sepse nga këtu mund të kuptohet nëse Interi është në gjendje të ringrihet dhe të luftojë deri në fund për titujt, apo nëse sezoni do të shkojë drejt një fundi zhgënjyes.
Tashmë gjithçka është në duart e trajnerit Inzaghi. Ai duhet të rikthejë shpirtin luftarak dhe motivimin te skuadra. Në derbi, pas golit të dytë të Milanit, ai u duk i dorëzuar dhe ndryshimet e menjëhershme në formacion nuk sollën kthesën e dëshiruar. Nëse nuk arrin të rikthejë mentalitetin fitues, rreziku i një katastrofe sezonale është real. Por, nëse arrin të ndezë sërish “demonin” brenda skuadrës, atëherë Interi mund të ëndërrojë ende. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

