ANALIZA/ Justifikimet nuk mjaftojnë, humbja ndaj Fiorentinës “ndez” alarmin te Juventusi

Juventus të martën përjetoi një mbrëmje të vështirë, duke pësuar një disfatë të rëndë 3-0. Për pjesën më të madhe të sfidës luajtën me një futbollist më pak, ndërkohë që pretenduan në dy raste për penallti. Të gjitha këto alibi që në fakt nuk mund të justifikojnë disfatën ndaj vjollcëve. Për më tepër që është skuadra që është ndëshkuar më shumë në 5 ligat kryesore me 5 karton të kuq, 4 prej tyre direkt. Motivimi i shfaqur nga lojtarët ishte shumë i ulët edhe në 20 minutat kur ishin 11 kundër 11 në fushë.

Por si ndodhi që të kalohej nga ndeshja më e mirë e sezonit në më të keqen vetëm brenda 3 ditësh? Nuk mund të jetë vetëm diçka psikologjike, ka edhe limite strukturale, për shembull, faza mbrojtëse. Reparti i prapavijës duhet të qëndronte më i avancuar, por leximi i lojës prej tyre nuk ishte i duhuri. Fiorentina i befasoi që në minutën e dytë, duke nxjerrë Vlahovic përballë portierit.

Para kartonit të kuq të Cuadrados, ishte një Juventusi i zhbalancuar në lojë, që linte vetëm të mbrojtësit e qendrës prapa, ndërkohë dy lojtarët e krahut avanconin më përpara. Kjo lidhet në fakt edhe me futbollin sulmues që Pirlo kërkon të sjellë, por që duhet të shoqërohet edhe me ndryshime të pozicionit të lojtarëve, një gjë që nuk ndodhi ndaj ekipit të Prandellit. Kur mbetën me 10 lojtarë, kërkuan që të shfrytëzonin Moratën dhe Ronaldon në repartin e avancuar, duke shtyrë Chiesa-n më pranë Bentancur dhe McKennie, me një vendosje 4-3-2. Më pas në pjesën e dytë u kaluar në një vendosje 4-4-1, pas hyrjes së Bernandeschit në krahë.

Pavarësisht gabimeve të rënda të arbitrit, Juventusit nuk dha asnjëherë impresionon se mund të rrezikonte, e gjitha për meritë edhe të Fiorentinës, që shfrytëzoi më së miri superioritetin numerik në fushë, duke kontrolluar lojën. Me futjen e Kulusevskit dhe daljen e McKennie, skuadra bardhezi u zhbalancua edhe më shumë duke i dhënë mundësinë vjollcëve që të shënonin dy gola dhe të mbyllnin ndeshjen. Tani e gjithë vëmendja e Pirlos është që të shfrytëzojë këtë periudhë ndërprerje për të udhëzuar futbollistët që të rigjejnë karikimin e duhur. Përqendrimi më i madh dhe përmirësimet në mbrojtje janë dy ndërhyrjet më emergjente. Koha gjithmonë ka qenë një faktor që e ka penguar Pirlon që të asimilojë te lojtarët idetë e tij për një lojë më sulmuese. /Rozalb Lika-Koha Jone/

 

SHKARKO APP