ANALIZA/ Media polake tregon sekretet se ku “çalon” Polonia
Media polake “sportowefakty”, ka bërë një analizë të pikave të dobëta të Kombëtares së tyre në prag të sfidës së sotme kundër kuqezinjve tanë.
“Situata te Polonia ngre pikëpyetje serioze për të ardhmen, sidomos në repartin e sulmit, ku mungesa e një lideri të qëndrueshëm po ndihet gjithnjë e më shumë.
Edhe pse sulmuesi i Barcelonës, Robert Lewandowski, mbetet pika kryesore e referimit, mosha e tij 38 vjeç shton dyshimet për vazhdimësinë. Pas tij, alternativat nuk ofrojnë garanci të plota: Krzysztof Piątek aktivizohet në një kampionat më pak konkurrues si ai i Katarit, Adam Buksa përballet shpesh me dëmtime, ndërsa Karol Sëwiderski kontribuon në ndeshje, por nuk është një golashënues konstant. Nga ana tjetër, Arkadiusz Milik sapo është rikthyer në fushë pas një mungese të gjatë për shkak dëmtimi.
Në këtë kontekst, trajneri Jan Urban e ka cilësuar përballjen ndaj Shqipërisë si më të rëndësishmen e karrierës së tij. Sipas tij, kjo ndeshje “play-off” nuk është vendimtare vetëm për kualifikimin në Botëror, por edhe për të ardhmen e gjithë ekipit kombëtar.
Një dështim për të siguruar një vend në Kupën e Botës mund të sjellë pasoja të mëdha në afat të shkurtër, duke rritur presionin mbi stafin teknik dhe lojtarët.
Për më tepër, Shqipëria konsiderohet një kundërshtar i vështirë për Poloninë. Në katër përballjet e fundit, skuadra kuqezi ka krijuar gjithmonë probleme serioze, pavarësisht se polakët kanë fituar tre prej tyre. Në ndeshjen e fundit, të humbur 0-2 në kohën e Fernando Santos, Shqipëria ekspozoi dobësitë e Polonisë me një lojë të shpejtë dhe teknike.
Ndryshe nga Polonia, Shqipëria paraqitet më e stabilizuar, falë punës disa vjeçare të trajnerit Sylvinho. Kuqezinjtë dhanë sinjale pozitive edhe në Euro 2024, ku zhvilluan paraqitje dinjitoze ndaj ekipeve si Italia, Spanja dhe Kroacia”, shkruhet në analizën e medias polake. /Rozalb Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

