ANALIZA/ Superliga po shkon drejt një fundi dramatik, çdo pikë po bëhet e “artë”
Vetëm tre javë përpara mbylljes së sezonit, Kategoria Superiore ofron një panoramë plot mister dhe emocion. Deri tani janë konfirmuar vetëm dy nga katër skuadrat që do të luftojnë për trofeun kampion, ndërsa gjithçka tjetër mbetet pezull, nga garat për titull, deri te lufta për mbijetesë.
Java e 33-të: Emocione, gola dhe kthesa
Java e 33-të dha spektakël të vërtetë në fushat e lojës: pesë ndeshje, katër fitore për skuadra me objektiva të qarta dhe një barazim. U shënuan 12 gola, me një mesatare prej 2.4 për ndeshje, ndërsa skuadra që festoi më shumë ishte padyshim Tirana.
Tirana ringjallet në derbi
Fitorja e bardhebluve në derbin e kryeqytetit u përjetua si një ringjallje. Jo vetëm që i largoi përkohësisht nga fundi i renditjes, por rihapi shpresat për mbijetesë. Zharmuni ishte heroi i mbrëmjes me dy gola, duke u ngjitur si golashënuesi kryesor i skuadrës dhe duke hyrë në garën për Këpucën e Artë – vetëm dy gola larg Balajt dhe Lushkjes.
Skënderbeu dhe Bylis marrin “frymë” – Vllaznia lë pikë
Një fitore të vlefshme për mbijetesë mori edhe Skënderbeu, që mposhti 2-1 Laçin në transfertë. Edhe Bylis gjeti tre pikë të arta, duke mposhtur minimalisht Vllazninë e vendit të tretë. Këto rezultate e bëjnë garën për qëndrim në elitë edhe më të ngjeshur.
Teuta mbetet në telashe – Dinamo i ndal ritmin
Në një tjetër përballje me peshë, Teuta dhe Dinamo ndanë nga një pikë (1-1), një rezultat që lë durrsakët në “zonën gri”. Teuta është vetëm një pikë larg vijës së shpëtimit, që aktualisht mbahet nga Skënderbeu dhe Bylis.
Gara për mbijetesë: Një kaos me pesë skuadra
Plot pesë ekipe janë të përfshira në një luftë të drejtpërdrejtë për qëndrimin në Superligë. Vetëm tre pikë i ndajnë, dhe nëse kampionati do të mbyllej sot, Teuta dhe Laçi do të binin në Kategorinë e Parë, ndërsa Tirana do të shkonte në play-out.
Elbasani rihyn fuqishëm në garë për titullin
Në skenën e “final-four”-it ka hyrë fuqishëm edhe Elbasani, që me fitoren 2-1 ndaj Egnatias mbetet vetëm një pikë pas Partizanit të vendit të katërt. Verdheblutë janë tashmë në garë të plotë për një vend në fazën vendimtare për titullin.

KOHA JONË SONDAZH

