
Drejtori i marrëdhënieve me publikun te Dinamo City, Andi Verçani, ka kritikuar ashpër mosmiratimin e ligjit të sponsorizimit në sport, duke e cilësuar të padrejtë mënyrën se si taksohet sporti në Shqipëri.
Ligji i sponsorizimit në sport vijon të mbetet një çështje e debatueshme në Shqipëri. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga klubet dhe përfaqësuesit e sportit, propozimi për krijimin e një mekanizmi që do të nxiste investimet private nuk ka marrë mbështetjen e nevojshme. Për këtë çështje ka reaguar edhe Andi Verçani, drejtori i marrëdhënieve me publikun te Dinamo, i cili ka shprehur pakënaqësinë e tij në emisionin “Në shtëpinë e futbollit”, në FSHF TV.
Verçani ka kritikuar politikat fiskale ndaj akademive dhe klubeve sportive, duke vënë në dukje atë që e konsideron një kontrast të pajustifikuar mes taksimit të aktiviteteve sportive dhe atij të bizneseve që përfshijnë kazino.
“Është e tmerrshme, është diçka që e kam diskutuar prej shumë vitesh dhe vazhdon të ndodhë. Një akademi futbolli paguan 20% TVSH për çdo fëmijë që regjistrohet në këtë akademi apo klub. Kjo gjë ndodh vetëm në Shqipëri, aty ku një hotel luksoz që ka kazino brenda paguan vetëm 6% TVSH, po flasim për kumar, ves”, u shpreh Verçani.
Përfaqësuesi i Dinamos e konsideron këtë diferencë një sinjal të qartë të mungesës së mbështetjes institucionale për sportin, i cili luan një rol të rëndësishëm në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve.
“Të mirën publike dhe edukimin e paguajmë 20%, bixhozin, që është i ndaluar me ligj në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, e taksojmë 6%. Kjo është arrogancë, ndaj njerëzit protestojnë”, deklaroi ai.
Verçani theksoi gjithashtu se ligji i sponsorizimit mund të krijojë mundësi të reja financimi për klubet sportive, duke nxitur bizneset të investojnë më shumë në futboll dhe në zhvillimin e talenteve të reja.
Gjatë intervistës, Verçani iu referua edhe Kosovës, duke pretenduar se ligji i sponsorizimit atje gjeneron rreth 30 milionë euro. Sipas tij, Shqipëria ka ende shumë për të bërë për të krijuar një model që e mbështet financiarisht sportin.
Ai përmendi edhe klubet Egnatia, Dinamo dhe Partizani, të cilat, sipas deklaratës së tij, kontribuojnë me rreth 3 milionë euro në taksa për shtetin, pa përfituar mbështetjen që kërkojnë përmes një mekanizmi sponsorizimi.
