Angela Nika, korçarja që ëndërron të lërë gjurmë si Yamal në fushën e blertë
Futbolli shqiptar i femrave po fiton gjithnjë e më shumë talente të reja, dhe një nga emrat më premtues është pa dyshim Angela Nika, qendërmbrojtëse 18-vjeçare nga Korça, e cila tashmë ka spikatur si me klubet, ashtu edhe me përfaqësueset kuqezi të moshave.
Hapat e parë në futboll …
E lindur më 3 tetor 2007, Angela nisi hapat e parë në futboll që në moshë të vogël, duke u stërvitur fillimisht me djemtë, në një kohë kur ekipet e vajzave ishin të pakta. Ajo tregon se dëshira për futboll lindi rastësisht, kur babai i saj – ish-futbollist, nisi ta stërviste në fushë. “Nuk e dija që loja do të kthehej në një pasion të përjetshëm. Kur mora ftesën e parë nga kombëtarja, aty vendosa të punoj akoma më shumë, sepse kuptova që puna është çelësi i suksesit,” rrëfen ajo.

Me pasion dhe vendosmëri, ajo iu bashkua Skënderbeut, ku qëndroi për tre vite, përpara se të transferohej në Tiranë dhe më pas në Gramsh.
“Atëherë kishte shumë pak ekipe për vajza dhe jam stërvitur fillimisht me djemtë, e më pas me ekipin e Skënderbeut. Isha thjesht 13-14 vjeç kur e nisa dhe emocionet ishin të forta, sidomos kur prekja topin ose kur isha skeptike tek pjesa e pasimeve dhe përfaqësimit në ndeshje – jo për shkak të mungesës së profesionalizmit tim. Kisha një dëshirë të madhe për t’u stërvitur dhe për të përmbushur objektivat e mia, ndër të cilët më i madhi ishte të vendosja të lija qytetin tim të lindjes, Korçën, për të shkuar në Tiranë. Aty do të ndodhesha në një vend të huaj nga ana e socializimit, si në shkollë ashtu edhe në ekip”, tregon Angela.
Aktualisht, mbrojtësja është në pritje të ofertave nga ekipe profesioniste jashtë vendit, me dëshirën për të luajtur në kampionate si ai i Zvicrës, Italisë ose Spanjës.
Kombëtarja dhe ngjitja e shkallëve një nga një …
Nika ka grumbullime të rëndësishme me Shqipërinë U-17 dhe U-19, ndërsa ka qenë pjesë edhe e kombëtares A në një grumbullim. Deri tani numëron mbi 30 paraqitje ndërkombëtare dhe më shumë se 1600 minuta lojë, duke treguar dëshirë të madhe për t’u rritur. Edhe pse nuk ka shënuar gola, ajo spikat për agresivitetin, duelet ajrore dhe sparkatat, elementë që e bëjnë një qendërmbrojtëse tipike moderne.

“Në mbrojtje jam gati të të thyej këmbët në duele, jam shumë agresive si qendërmbrojtëse”, tregon me humor Angela.
Në karrierën e saj të re, Angela ka luajtur kundër kundërshtarëve të fortë si Islanda, Mali i Zi, Azerbajxhani apo Irlanda e Veriut, duke fituar përvojë të vyer për moshën që ka.
Në vitin 2024, ajo ishte kandidate për çmimin “Talentja e Vitit” në ceremoninë prestigjioze Topi i Artë, një tjetër duke demonstruar rritjen e madhe që ka pasur edhe pse në një moshë të re. Përveç futbollit, Angela bëhet pjesë shpesh edhe e studiove televizive kur flitet për sportin dhe ku atje është pak më e “drojtur” se në fushë, por gjithmonë e gatshme të thotë mendimin e saj.
Idhulli i saj është Lamine Yamal, ylli i Barcelonës, të cilin e sheh si motivim të madh, pasi janë pothuajse bashkëmoshatarë. “Idhull kam Lamine Yamal një lojtar i ri por me aftësi të jashtëzakonshme . Jemi në të njëjtën moshë dhe kur shoh që çfarë mundësish të krijon stërvitja e madhe dhe puna e palodhur të rritet vet ajo ndjesia që ta bësh pa marrë parasysh asgjë”.
Pasione të tjera
Përveç futbollit, Angela rrëfen edhe një pasion tjetër: botën e modës. “Gjyshja ime donte të bëhesha modele, dhe pse futbolli dhe moda janë dy kontraste, unë i bëj të dyja pa problem,” thotë ajo me buzëqeshje. /R.Lika-Koha Jonë/

KOHA JONË SONDAZH

