Anglia e Tuchel ka në dorë fatin e Shqipërisë dhe Serbisë për Play Off-in e Botërorit

Muaji nëntor pritet të jetë vendimtar për fatin e shumë kombëtareve evropiane në rrugën drejt Kampionatit Botëror 2026, dhe ndër to janë edhe Shqipëria e Serbia. Megjithatë, një nga faktorët kryesorë që mund të ndikojë në rrjedhën e ngjarjeve është përfaqësuesja e Anglisë.
“Tre Luanët”, të kualifikuar tashmë zyrtarisht për në Botëror, do të përballet në nëntor me dy kundërshtarë që luftojnë direkt për vendet e mbetura në Play Off, dhe rezultatet e këtyre sfidave do të jenë përcaktuese.
Në grupin ku ndodhet Shqipëria, çdo pikë do të jetë vendimtare. Kombëtarja e Sylvinhos shpreson që Anglia të mos bëjë lëshime ndaj rivalit direktë (Serbisë), duke ruajtur seriozitetin dhe formën që e karakterizon. Pas marrjes së drejtimit të Anglisë, Thomas Tuchel ka premtuar se skuadra do të luajë çdo ndeshje me përkushtim maksimal, pavarësisht statusit të saj si ekip i kualifikuar.
Ky qëndrim mund të jetë një lajm i mirë për Shqipërinë, e cila shpreson që trajneri gjerman të mos bëjë rotacion të thellë në ndeshjet e fundit dhe të ruajë intensitetin e zakonshëm të lojës.
Shqipëria, është shumë pranë sigurimit të një vendi në Play Off, por duhet të presë me ankth rezultatet e nëntorit. Një fitore e Anglisë ndaj serbëve do ta afronte edhe më shumë Kombëtaren Kuqezi me ëndrrën e Botërorit 2026.
Fati i Shqipërisë dhe Serbisë në këtë mënyrë do të jetë i gjithi i varuar nga planet e trajnerit Tuchel, i cili mund të jetë i vetmi që mund të na prishë ëndrrën që një ditë të shkojmë në Botëror. /Rozalb Lika-Koha Jonë/

KOHA JONË SONDAZH

