Anglia gati të rihapë stadiumet, nis shitja e abonimeve te tifozët
Britania e Madhe është një hap para të tjerëve në vaksinimin masiv të popullsisë, duke bërë që shumë shpejt të rihapen shumë aktivitete, mes tyre dhe tifozët në stadiume. Klubi i Tottenham është i pari që ka vendosur të hedhë në treg abonimet sezonale të tifozëve për kampionatin e ardhshëm. Prej datës 12 prill “Spurs” do të nisin procesin e rinovimeve të atyre që paguan për të ndjekur ndeshjet e sezonit që lamë pas, por që për shkak të pandemisë nuk arritën dot.
Admiruesit e futbollit në Mbretërinë e Bashkuar do të mund të rikthehen prej këtij sezoni në impiantet angleze. Tifozët e Tottenham por jo vetëm, do të kenë mundësinë të ndjekin prej 25 prillit në finalen e Kupës së Ligës në Wembley, atje ku skuadra e Jose Murinhos sfidon Manchester City-in.
Rreth 8 mijë persona do të jenë prezentë në këtë finale ndërkohë që një numër edhe pak më i lartë fansash do të mund të rikthehet në stadiume nga data 17 maj, atëherë kur mbetet vetëm java e fundit e Premier League për t’u luajtur.