Antonio Conte, kapiteni që udhëheq Napolin në stuhitë e mëdha
Kur deti trazohen, është kapiteni ai që duhet ta nxjerrë anijen nga stuhia. Një metaforë që përshkruan në mënyrë perfekte atë që Antonio Conte po bën te Napoli. Trajneri salentin di të japë maksimumin pikërisht në ndeshjet e mëdha, aty ku presioni rritet dhe detajet bëjnë diferencën.
Bilanci i Napolit në përballjet direkte me rivalët e fortë këtë sezon është prova më e qartë e ndikimit të Contes. Humbjet e vetme kundër “të mëdhenjve” kanë ardhur në Milano ndaj Milanit dhe në Manchester përballë City-t. Për pjesën tjetër, vetëm fitore kundër Interit, Romës dhe Juventusit, një ecuri që flet qartë për peshën e trajnerit në momentet kyçe.
Shembulli më i fundit erdhi në gjysmëfinalen e Superkupës, ku Napoli eliminoi Milanin. Në stadiumin Al-Awwal Park të Riadit, zëri i Contes ishte i pranishëm në çdo cep të fushës. Çdo presion, çdo mbulim defensiv, çdo kundërsulm apo zgjedhje sulmuese shoqërohej nga udhëzimet dhe thirrjet e tij. Një kontroll total mbi skuadrën, që tregon se kur ndeshjet fillojnë të peshojnë vërtet, ish-trajneri i Italisë nuk lë asgjë rastësisë.
Tensioni me Massimiliano Allegrin, i kulmuar me mungesën e shtrëngimit të duarve në fund të ndeshjes, nisi pas një faulli të ashpër të Adrien Rabiot ndaj Matteo Politano. Stoli i Napolit reagoi menjëherë duke kërkuar karton të kuq, ndërsa përplasjet verbale vazhduan gjatë gjithë pjesës së dytë. Në një moment, mikrofona pranë fushës kapën qartë zërin e Contes që bërtiste “Mjaft”, në përgjigje të ankesave të vazhdueshme të kolegut të tij. Edhe kjo u shndërrua në një “ndeshje brenda ndeshjes”, të cilën Conte e menaxhoi sipas dëshirës së tij.
Një tjetër episod domethënës ishte përplasja verbale me Lautaro Martinez dhe Denzel Dumfries gjatë Napoli–Inter. Pas golit të 2-1 për zikaltërit, që rrezikonte të ndryshonte rrjedhën e takimit, Conte ndërhyri duke provokuar holandezin, duke bërë që nervat të humbnin edhe te sulmuesi argjentinas. Që nga ai moment, Interi humbi toruan nga loja dhe vetëm pesë minuta më vonë Napoli shënoi golin e 3-1 përfundimtar me Frank Anguissa, pas një rivënie anësore.
Janë pikërisht këto detaje, shpesh të padukshme, që tregojnë rëndësinë e të pasurit në stol një nga trajnerët më të mirë në qarkullim. Dhe Napoli, nën drejtimin e Antonio Contes, duket se e ka gjetur kapitenin e duhur për t’i përballuar dallgët më të forta.
KOHA JONË SONDAZH

