Apolonia ngjitet në Superiore

Në këtë kohë të pandemisë së Covid-19, ku distancimi social është masa e parë për të qenë të sigurt, futbolli shqiptar njohu edhe një tjetër kampione për këtë sezon, pas Tiranës si kampione e Kategorisë Superiore, atë të Kategorisë së Parë. Skuadra e Apolonisë është skuadra e sapongjitur në Superiore pas 5 vitesh mungesë. Ajo fitoi edhe trofeun në përballjen e saj me Kastriotin, ndërkohë që konsiderohet dhe skuadra model për mënyrën e saj të funksionimit dhe logjikën e biznesit. Për këtë arsye kemi presidentin e saj Koço Kokëdhima, i cili do të na sqarojë më tej. ”Pjesa më e rëndësishme për Apoloninë është të edukojë dhe të zhvillojë në 360 gradë lojtarët. Ne duam tek Apolonia lojtarë që nuk ëndërrojnë të luajnë tek Apolonia. Ne duam tek Apolonia lojtarë që ëndërrojnë të lozin ne tregjet e pasura të futbollit”, u shpreh Koço Kokëdhima, president i skuadrës së Apolonisë. Për presidentin, problemi kryesor në futbollin shqiptar janë financat. Shumë prej lojtarëve nuk paguhen. Nuk e di si funksionon dhe si e keni zgjidhur këtë problem te skuadra e Apolonisë.

”Është një model që kryesisht rrit lojtarët dhe nuk blen lojtarë të shtrenjtë por zhvillon lojtarët e vet, të cilët kane kosto relativisht të ulëta. Kjo është e gjithë çështja. Apolonia ka financa tërësisht të balancuara”. Apolonia ka në tërësi rreth 400 futbollistë dhe paga më e lartë që paguajnë drejtuesit e klubit është rreth 120 mijë lekë të reja. Shumica e futbollistëve nuk paguhen pasi janë në moshë të re e konsiderohen si moshë studimi dhe edukimi tek ky ekip. Po si arriti deri në Superiore kjo skuadër me këtë formulë me një buxhet vjetor rreth 25 milionë lekësh.

Apolonia e Fierit triumfoi pasi fitoi 2-1 në finale e së mërkurës ndaj skuadrës së Kastriotit. Krutanët kaluan të parët në avantazh me anë të Ajazit në minutën e 40, pas një aksioni të bukur në zonë por ky avantazh ka vijuar vetëm për 3 minuta pasi Apolonia ka baraspeshuar me anë të Redon Mihanës, në minutën e 43-të të fraksionit të parë të lojës. Në pjesën e dytë të kësaj ndeshje ka vijuar një sfidë e luftuar, ku në minutën e 67 Ajazi ka realizuar një autogol duke kaluar skuadrën fierake në avantazh. Me këtë rezultat KS Kastrioti 1-2 FK Apolonia, është mbyllur finalja e këtij kompeticioni, ku skuadra e qytetit të Fierit shpallet kampione.

Nga ana tjetër, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Duka tha se Akademia e Fierit ka një numër relativisht më të lartë se të gjitha akademitë e tjera të Shqipërisë dhe nuk nguroi as ta cilësojë si një model të mirë që duhet ta shëprndajmë dhe të jetë shembull për të gjithë Shqipërinë. “Duhet të përgatiten shumë mirë sepse në Superiore i pret një garë akoma më e fortë me një nivel relativisht më të lartë dhe që do të duhet ta përballojnë. Unë uroj që këto skuadra që kanë vite që ikin dhe vijnë në Superiore të vijnë ndryshe, me një performancë më të mirë, të dhurojnë spektakël dhe pse jo të qendrojnë më gjatë në Superiore. Apolonia është një nga klubet më të mirëorganizuar në Shqipëri, që bën futboll në të gjitha nivelet me mundësitë e veta, me akademinë e vetë, me financat që prodhon vetë klubi. Kjo është shumë e rëndësishme. Nuk është një gropë e zezë as për Bashkinë, as për presidentin. Për meritë të presidentit klubi ka arritur të gjenerojë të ardhura për të riprodhuar futboll dhe për të patur jo vetëm ekipe cilësore por edhe sasiorë. Akademia e Fierit ka një numër relativisht më të lartë se të gjitha akademitë e tjera të Shqipërisë. Duke u nisur nga të gjitha këto mendoj që ky është një model i mirë që duhet ta shëprndajmë dhe të jetë shembull për të gjithë Shqipërinë. Futbolli duhet të jetë i të gjithëve”.

SHKARKO APP