Arabia Saudite vendos veton: Ndeshja me Shqipërinë nuk transmetohet në asnjë televizion
Miqësorja Arabi Saudite-Shqipëri e programuar për këtë të mërkurë nuk do të transmetohet në asnjë televizion, shqiptar apo të huaj.
Gjithçka ka të bëjë me një kërkesë të Federatës Arabe, e cila ka kërkuar që përballja me Shqipërinë të mos transmetohet në televizion.
Arabia Saudite është një ndër skuadrat e kualifikuara për në Botërorin e Katarit, që starton në muajin nëntor, ku është shortuar në një grup me Argjentinën, Meksikën dhe Poloninë. Takimi me Shqipërinë është tepër i rëndësishëm për ta në përgatitjet për Botërorin.
Duke qenë se kjo sfidë luhet më pak se një muaj para debutimit në Kupën e Botës, arabët kërkojnë të ruajnë efektin surprizë, për të mos ju dhënë rivalëve në grup pika referimi në lidhje me skuadrën e tyre. Pikërisht nga ky fakt vjen dhe kërkesa kategorike që ndeshja të mos transmetohet në asnjë televizion, duke mos prodhuar fare sinjal televiziv.
Në këtë mënyrë edhe publiku shqiptar nuk do të ketë mundësinë për ta ndjekur sfidën e 26 tetorit, për të cilën Edi Reja ka grumbulluar një grup të përbërë kryesisht nga lojtarë të kampionatit shqiptar.