Arben Kola i “Besëlidhjes” merr titull “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti

Titulli i dhënë nga kreu i shtetit, vlerësimi më i lartë për karrierën

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka dhënë dje titullin “Mjeshtër i Madh” sportistit të njohur Arben Kola. Kampioni i Shqipërisë në Sportin e Mundjes u vlerësua nga kreu i shtetit për kontributin e tij të veçantë. Në motivacionin e Presidentit Nishani për dekoratën theksohen vlerat e Arben Kolës në sportin shqiptar në vite, por edhe përfaqësimin dinjitoz që i ka bërë Shqipërisë dhe ekipit të Besëlidhjes në garat ndërkombëtare.  Medalja më e lartë në fushën sportive i jepet Arben Kolës “Për veprimtari të shquar dhe vlera të pamohueshme në Sportin e Mundjes, sportist i nivelit të lartë, me rezultate të shkëlqyera dhe për përfaqësim dinjitoz të Shqipërisë në veprimtaritë sportive ndërkombëtare”,- thuhet në motivacionin e dekoratës.

Medalja për Kampionin

Swiss Digital Desktop Reklama

Arben Kola është një emër i njohur i “Besëlidhjes” në Lezhë, por edhe një ikonë e sportit kombëtar. Në karrierën e tij përgjatë 25 vjetëve ai numëron një sërë medaljesh kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat e rendisin atë në elitën e Sportit të Mundjes shqiptare. “Mjeshtri i Madh” Arben Kola ka qenë për 15 vjet kampion absolut i Shqipërisë në mundje. 2 herë është shpallur Kamion Kombëtar në spartakiada, si dhe 7 herë është renditur mes 10 sportistëve më të mirë të gjithë Shqipërisë. Ndërkohë që, në arenën ndërkombëtare ka fituar një “Medalje Ari”, dy “Medalje Argjendi” dhe 1 “Medalje Bronzi”. Për të gjitha këto arritje ai është vlerësuar me titujt; “Mjeshtër Sporti”; “Mjeshtër i Merituar i Sportit” dhe medaljen “Naim Frashëri i Artë”. Medalja  fundit që i ka dhënë Presidenti Bujar Nishani, “Mjeshtër i Madh” është dhe vlerësim më i lartë që merr Kampioni i Mundjes.

Swiss Digital Mobile Reklama

arben-kola-mundje

Mirënjohja për trajnerin

Vlerësimi nga Presidenti me titullin “Mjeshtër i Madh” është një nga momentet më të veçanta në jetën e Arben Kolës. Në një prononcim për “Koha Jonë”, Kola shprehet se, ky titull është vlerësimi më i madh profesional në karrierën e tij. “Është një nga momentet më të veçanta në jetën time. Është vlerësimi profesional më i madh që kam marrë për mundin dhe punën time gjatë 25 vjetëve. Ndjehem mjaft i vlerësuar nga Presidenti i Republikës, z.Bujar Nishani që më akordoi këtë medalje. Gjithashtu, ndjehem i vlerësuar dhe nga gjithë institucionet që kanë vlerësuar punën dhe kontributin tim në Sportin e Mundjes”,- tha Kola.

Medalje dhe Vlerësime

1 “Medalje Ari” ndërkombëtare

2 “Medalje Argjendi” ndërkombëtare

1 “Medalje Bronzi” ndërkombëtare

15 vjet Kampion i Shqipërisë

2 herë Kampion në Spartakiadën Kombëtare

7 herë është renditur mes 10 sportistëve më të mirë të Shqipërisë

“Mjeshtër Sporti”

“Mjeshtër i Merituar i Sportit”

Medalje “Naim Frashri i Artë”

“Mjeshtër i Madh”

Kampioni i Mundjes, i cili është tërhequr nga sporti në vitin 2002 e cilëson këtë dekoratë të Presidentit, jo vetëm si një vlerësim personal, por edhe si një vlerësim për brezat e ekipit të Mundjes të Besëlidhjes në Lezhë, ku ai zhvilloi aktivitetin si sportist. Në karrierën e tij të gjatë në këtë sport, Arben Kola kujton jo pak momente të rëndësishme. Ai flet për garat kombëtare, ku është përballur me emrat e tjerë të mëdhenj të Sportit të Mundjes, por edhe për kampionatet ndërkombëtarë, ku ka arritur të shkëlqejë, siç është Turneu i Mundjes në Izrael në vitin 1994.

Kola thotë se, “Besëlidhja” e Lezhës ishte ekipi që i dha mundësinë për ta përfaqësuar në botë. Mes dhjetëra emrave, bashkëpunëtorëve dhe kolegëve, Kola veçon atë të trajnerit Nazmi Molla, si njeriun që e stërviti dhe e bëri të ishte kampion dhe një model për gjithë sportistët e tjerë. “Në karrierën time ka shumë njerëz që meritojnë t’i falënderoj. Ka shumë kolegë dhe bashkëpunëtorë që më kanë ndihmuar, por ka një preson të cilit i jam mirënjohës më shumë se kujtdo tjetër. Ai është trajneri im Nazmi Molla, njeriu që më ndihmoi të isha sportist dhe kampion, të cilit do t’i jem mirënjohës më shumë se kujtdo tjetër”, shprehet “Mjeshtri i Madh”, Arben Kola.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?