Argjentina kualifikohet mes drithërimash, në raundin tjetër sfidon Francën (VIDEO)

Argjentina ka fituar me shumë vuajtje ndaj Nigerisë, duke siguruar kalimin në 16 skuadrat më të mira në Kupën e Botës. Ekipi i drejtuar nga Sampaoli ka triumfuar me rezultatin 2-1në “Rostov Arena”. Argjentina e ka mbyllur në avantazh pjesën e parë ndaj Nigerisë. “Albicelestët” e nisën ndeshjen në sulm, por kishin shumë vështirësi në gjetjen e hapësirave. Në minutën e 14-të, amerikano-latinët shënuan golin e avantazhit, me Lionel Messin. “Pleshti” merr një pasim shumë të bukur nga Banega, e kontrollon mjaft mirë në zonë, dhe me një goditje të kalibruar me të djathtën, mposhti portierin Uzoho.

Një kryevepër dhe një gol historik, sepse ka qenë goli numër 100 i realizuar në Botëror. Kishte 662 minuta që ai nuk shënonte në një Kupë Bote, dhe i 100 në Botërorin e Rusisë. Skuadra e Sampaolit fiton besim, dhe në minutën e 27-të humbasin një tjetër mundësi të mirë me Higuain, i cili nuk arrin që të shënojë përballë portierit. Në minutën e 32-të, Lionel Messi u ndal nga portieri Uzoho, i cili devijoi topin me majën e gishtërinjve, ndërkohë që u ndihmua edhe nga shtylla. Nigeria në minutat e fundit të pjesës së parë, provoi të rrezikonte portën e Argjentinës, por Musa nuk arriti që të gjente hapësira.

Nigeria barazoi rezultatin në fillimin e pjesës së dytë. Mascherano shkaktoi penallti në minutën e 48-të, duke mbajtur një nga futbollistët kundërshtarë në zonë, teksa për gjyqtarin Cakir nuk kishte asnjë dyshim. Victor Moses nuk ka gabuar nga pika e bardhë duke mposhtur portierin Armani. Argjentina u hodh e gjitha në sulm në kërkim të golit të barazimit, por nuk arrijnë që të jenë të rrezikshëm në aksionet sulmuese. Në krahun tjetër Nigeria përfiton nga hapësirat e lëna pas nga “Albicelestët”, teksa në minutën e 71-të, Ndidi provon me një goditje të fortë nga 25 metra, por tentativa e tij përfundon pak mbi traun e portës. 4 minuta më pas Nigeria pretendoi për një penallti pas një prekje të topit me dorë nga Rojo, por arbitri Cakir edhe pas pamjeve të VAR, vendosi për të mos të akorduar asgjë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sampaoli hedh në fushë edhe Agueron, duke larguar një Tagliaficon, duke rrezikuar gjithçka. Në fakt, sinjalet e para i jep menjëherë Ighalo, i cili u vendos i vetëm përballë portierit Armani, teksa ky i fundit e ndali me këmbë. Etebo disa sekonda më pas në një goditje dënimi bën që argjentinasit të lëshojnë “djersë të ftohta”, pasi tentativa e tij krijoi iluzionin e golit. 4 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Argjentina gjeti golin e avantazhit. Mercado ka krosuar mjaft mirë nga krahu i djathtë në zonë për Rojon, i cili ka goditur në mënyrë spektakolare duke mposhtur portierin Uzoho. Në raundin e 1/8-ve, Argjentina do të përballet me Francën më 1 qershor në orën 16:00. /Koha Jonë/

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?