Arjola Dedaj, atletja e verbër italo-shqiptare rrëmben dy medalje në lojërat paraolimpike 3 vite pas lindjes së djalit
Arjola Dedaj, emigrante në Itali me origjinë shqiptare ka arritur të fitojë dy tituj në lojrat paraolimpike që mbahen në Itali. Dikur kampione bote, ajo kthehet në terren pas lindjes së djalit, duke vazhduar sfidën në garën ndërkombëtare. Për Ora News ajo shprehet se në Shqipëri nuk ka një strukturë për lojrat paraolimpike, teksa në Itali i kanë dhënë mbështetjen përkatëse.
Emigrantët shqiptarë vazhdojnë të arrijnë suksese në vendet ku jetojnë. Arjola Dedaj është një ndër to, e cila së fundi ka fituar fiton dy medalje në Kampionatin Paraolimpik Europian 2021 që po zhvillohet në Poloni.
Ish-kampione e botës në vitin 2017 në Londër e mbajtëse e 5 titujve europianë, në intervistën e dhënë eskluzivisht për Ora News, shprehet se kjo arritje është edhe më e rëndësishme pasi vjen vetëm 3 vite pasi ka lindur djalin.
“Brenda 24 orëve kam zhvilluar dy gara në kampionatin europian të Polonisë 2021, ku ndodhem. Mora medaljen e argjendë në 100 metra e medaljen e bronzit në kërcimin së gjati. Për shkak të Covid garat zhvillohen në kohë mjaft pranë njëra-tjetrës. Ndjehem e kënaqur që vazhdoj të jem konkurruese e fortë edhe pas shumë vitesh që garoj e mbi të gjitha pas u bëra nënë”.
Por sa e vështirë është arritja e formës fizike pas lindjes? Dedaj shprehet se gjithçka arrihet me përkushtim.
“Kam punuar shumë por nuk qe e vështirë pasi nuk jam ndalur gjatë shtatzanisë e kam nisur të stërvitem menjëherë pas lindjes. Garën e parë e kam bërë pa mbushur një vit nga lindja e fëmijës. Pandemia Covid na mbajti larg nga garat sportive. Më mungonin emocionet e garës, kompeticioni e andrenalina. Rikthimi është vërtetë i bukur”.
Objektivi më i afërt është të arrij në Lojërat olimpike të Tokios së bashku me partnerin e saj Emanuele, i cili është atlet paraolimpik . Në Itali mbërriti në moshën 17 vjeçare, e pikërisht aty nisi sfidën në atletikë.
“Jam e verbër 100% e në moshën 3 vjeçare prindërit e mi zbuluan se kisha retinën pigmentoze. E kam vuajtur shumë këtë kufizim të aftësisë sime fizike në Shqipëri. Ishte pothuajse tabù e uroj që gjërat sot të shkojnë më mirë. Në shkollë nuk ekzistonin instrumentet e duhura për didaktikën. E kam vuajtur shumë dhe në jetën shoqërore, në integrimin social me miqtë e të afërmit, gjë që më shënoj dhe më vitet e para kur mbërrita në Itali. Për fat këtu, entet e institucionet, dhe personat që kishin të njëjtin problem me mua, më ndihmuan e më futën në një botë të re të mrekullueshme që ja vlen ta jetosh. Instrumentet e duhura të adoptuara në Itali më ndihmuan të shprehja sa më mirë”.
Sigurisht teknologjia i ka dhënë më shumë mundësi.
“Sot teknologjia është 360 gradë por në vitet ’90 kur unë mbërrita, nuk qe kështu e përdorimi i kompjuterit në ato vite, më ndihmoj dhe në integrim social timin si dhe në sistemin e punës. E ky fakt për autonominë sociale e kulturore është mjaft i rëndësishëm”.
Dedaj shton se në Shqipëri nuk ka një Komitet Paraolimpik për atletët me aftësi të kufizuar. Ndaj është e vështirë të vlerësosh persona me aftësi të kufizuar që duan t’i afrohen sportit.
Përmes intervistës ajo shprehet se shpreson që dikush në Shqipëri të dëgjojë jo vetëm eksperiencën e saj por dhe dëshmi të tjera, e që personat me aftësi të kufizuar, të kenë mundësi të integrohen në shoqëri si në nivel sportiv ashtu dhe në nivel social e punësim. /Ora News