Armand Duka merr pjesë në mbrëmjen gala të Federatës Bullgare me rastin e 100-vjetorit të themelimit
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, mori pjesë në ceremoninë festive “100 vite futboll bullgar”. Në mbrëmjen gala të mbajtur mbrëmë në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje, u mblodhën shumë personalitete të shquar të futbollit nga Europa dhe bota.
Presidenti Duka i shprehu urimet më të përzemërta Federatës Bullgare për këtë përvjetor historik. Gjithashtu, përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Bullgarisë në futbollin europian dhe botëror, duke theksuar vlerat e përbashkëta që Federatat ndajnë për zhvillimin e futbollit.
“🎉 100-vjetori i Federatës Bullgare të Futbollit! ⚽
Kënaqësi të isha pjesë e mbrëmjes gala “100 vite futboll bullgar”. Me bullgarët na bashkon historia që herët, prej tetorit 1946 kur kemi zhvilluar ndeshjen e parë. Kemi qenë dëshmitarë të suksesit të madh të Bullgarisë para 30 vitesh, kur u rendit e katërta në Botërorin “USA 1994” dhe kemi shijuar klasin e shumë lojtarëve të mëdhenj që kanë prodhuar ndër vite. Ndër vite përmes futbollit kemi ndarë vlerat e përbashkëta dhe vazhdojmë të punojmë për të ushqyer brezat e rinj me ëndrrën e madhe për të qenë futbollistë. Me rastin e 100-vjetorit, dua të përcjell urimet e mia më të mira për Presidentin e Federatës Bullgare të Futbollit, Georgi Ivanov, dhe të gjithë anëtarët e federatës”, shkruan Presidenti Duka.