Armand Duka, presidenti i “përjetshëm” i FSHF-së bëhet gati për mandatin e 7-të
Nga Rozalb Lika (Koha Jone)-
Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar listën përfundimtare të kandidatëve për zgjedhjet e presidentit të FSHF-së, që do të zhvillohen më 16 shkurt. Por në fakt, përpara se delegatët të mblidhen dhe të votojnë, panorama është e qartë: Armand Duka është i vetëm në garë, pa rivalë, pa kundërshtarë dhe me një mbështetje të gjerë nga anëtarësia.
Me propozimin e 33 anëtarëve, Duka është kandidati i vetëm për postin më të lartë drejtues në futbollin shqiptar, që e bën thuajse të pashmangshëm konfirmimin e tij për një mandat të shtatë, duke e shndërruar procesin zgjedhor më shumë në një formalitet.
Një presidencë që nis në 2002 dhe nuk ndalet
Armand Duka drejton FSHF-në prej vitit 2002, duke hyrë tashmë në dekadën e tretë të pushtetit në institucionin më të rëndësishëm të futbollit në vend. Nëse mandati i 7-të konfirmohet, Duka do të vazhdojë të jetë figura dominuese e këtij institucioni për më shumë se një çerek shekulli, një rekord që e bën atë jo vetëm presidentin më jetëgjatë të FSHF-së, por edhe një nga drejtuesit më të konsoliduar në historinë e sportit shqiptar. Kjo situatë nuk është e re. Edhe katër vite më parë, Duka garoi i vetëm, pas tërheqjes së kandidatit tjetër, Dritan Shakohoxha, duke i hapur rrugën një tjetër mandati pa garë dhe pa debat.
E vetmja betejë reale, më 2018 kundër Bashkim Finos
Zgjedhjet e vetme ku Duka u përball me një rival serioz në vitet e fundit mbeten ato të 2018-ës, kur kandidati përballë tij ishte ish-deputeti dhe ish-kryeministri i ndjerë Bashkim Fino. Ajo ishte hera e fundit kur zgjedhjet në FSHF patën ngjyrat e një gare të vërtetë.
Në atë proces, Duka u zgjodh për herë të pestë president, duke triumfuar në raundin e dytë me 38 vota, kundrejt 24 votave të Finos. Një rezultat i qartë, por që tregoi se kishte ende një bërthamë kundërshtimi brenda futbollit shqiptar.
2026, vit zgjedhor pa zgjedhje
Viti 2026 është vit zgjedhor për FSHF-në dhe mandati i ri do të jetë katërvjeçar. Por, të paktën deri në këtë fazë, futbolli shqiptar po shkon drejt një tjetër cikli ku kryetari zgjidhet pa garë. Deri më tani, askush nuk ka shprehur interesin për të kandiduar përballë Dukës, asnjë figurë nga futbolli, asnjë klub, asnjë grupim i organizuar.
Duka një zë i rëndësishëm në UEFA, zv-president
Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), është një nga emrat më të rëndësishëm të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare, pasi mban edhe postin e Zëvendëspresidentit të UEFA-s. Duka është zgjedhur në këtë rol në prill të vitit 2025, gjatë punimeve të Kongresit të UEFA-s, duke shënuar një moment historik për përfaqësimin e Shqipërisë në strukturat më të larta drejtuese të futbollit europian.
Në këtë funksion, ai ka pasur një rol të rëndësishëm në vendimmarrjen strategjike të UEFA-s, duke qenë pjesë e diskutimeve dhe proceseve që lidhen me zhvillimin e futbollit në Europë, politikat e organizimit të garave, si dhe mbështetjen për federatat kombëtare, veçanërisht në projektet e investimeve dhe modernizimit të infrastrukturës sportive.
Arritjet e FSHF nën drejtimin e Dukës që nga viti 2002
Arritja më e madhe sportive mbetet kualifikimi historik në Euro 2016, kur Shqipëria arriti për herë të parë të luante në një Kampionat Europian dhe shënoi fitoren e parë ndaj Rumanisë, duke futur vendin në hartën e futbollit europian. Më pas ky sukses u thellua edhe me pjesëmarrjen e dytë në vitin 2024 në Gjermani. Përveç suksesit në fushë, Duka ka forcuar marrëdhëniet me UEFA dhe FIFA, duke siguruar financime të mëdha dhe mbështetje për projekte të infrastrukturës dhe zhvillimit të lojtarëve të rinj.
Një nga ndryshimet më të prekshme ka qenë investimi në infrastrukturë: ndërtimi i fushave me bar artificial, rikonstruksioni i terreneve stërvitore dhe krijimi i qendrave për ekipet e moshave. Po ashtu, FSHF ka modernizuar stadiumet, me shembull kryesor Air Albania Stadium, duke ngritur standardet e organizimit të ndeshjeve dhe sigurisë për tifozët dhe lojtarët.
Zhvillimi i futbollit të moshave dhe futbollit të femrave ka qenë gjithashtu prioritet. Janë krijuar kampionate dhe programe trajnimi, duke mundësuar daljen e talenteve të rinj dhe pjesëmarrjen aktive të vajzave në sport. Në nivel profesional, FSHF ka punuar për profesionalizimin e kampionateve dhe licensimin e klubeve, duke vendosur standarde të reja infrastrukturore dhe administrative. Gjithashtu, janë investuar programe për trajnimin e trajnerëve, duke përfshirë kurset UEFA B, A dhe Pro, për të rritur cilësinë e stërvitjes. Një tjetër arritje e Dukës ka qenë marketingu dhe rritja e të ardhurave të Kombëtares, duke e kthyer ekipin përfaqësues në një produkt tërheqës për tifozët dhe sponsorët.
Pra kemi një Duka-mbret i futbollit shqiptar, falë aftesisë së tij, duke synuar që për herë të parë Shqipëria të kulifikohet në një Botëror.
Armando Duka mbetet personalitet, njeri pasionant i futbollit dhe bashkëpunues, edhe me ata që flasin pas shpinës së tij e kundër tij!
KOHA JONË SONDAZH

