Arsenali futet në garë për “Chiellinin shqiptar”, por Lazio është në avantazh

“Arsenali është skuadra e radhës që i bashkohet garës për Marash Kumbullën, i cili është krahasuar së fundmi me legjendën e Juventusit, Giorgio Chiellini”. Ky është shkrimi i “The Mirror” që raporton se skuadra londineze do të sfidojë Interin, Leipzig dhe Evertonin për 20-vjeçarin, i cili po shkëlqen te Hellas Verona.

Me përhapjen e pandemisë së koronavirusit, situata e transferimeve gjatë kësaj vere do të jetë e paqartë. Verona kërkon 30 milionë euro për mbrojtësin e Kombëtares sonë, i cili ka luajtur në 18 ndeshje gjatë këtij sezoni në Seria A, edhe pse vetëm luan për herë të parë në elitën e futbollit italian. Kumbulla është krahasuar me Chiellini nga Federico Balzaretti, i cili ka luajtur me ikonën e Juventusit dhe të Italisë.

“Në vitet e fundit, mbrojtësit janë formuar për të mbrojtur sa më mirë në fazën mbrojtëse. Kumbulla nga ana tjetër është “mbrojtës” i mbrojtëse. Gjëja e parë që i ka për synim është që të mos pësojë. Më kujton Giorgio Chiellinin në moshë të re”, deklaroi ish-mbrojtësi për “Goal.com”.

Edhe nga Italia nuk mungojnë lajmet për të ardhmen e Kumbullës, teksa sipas “Gazzetta dello Sport” Lazio e ka objektivin kryesor në merkato shkodranin. Tare është shumë i interesuar për shkak të moshës së re, që do të shërbejë për krijimin e një mozaiku fantastik në mbrojtje me Acerbin, Radu dhe Luiz Felipen, të cilët nga ana tjetër kanë shumë eksperiencë.

Kjo verë pritet të jetë shumë e nxehtë për mbrojtësin shqiptar, i cili duhet të zgjedhë destinacionin e tij të ardhshëm. Verona nga ana tjetër, do të arkëtojë 30 milionë euro, për një futbollist, i cili një sezon më parë ishte pjesë e akademisë së klubit. /Rozalb Lika-Koha Jone/

 

SHKARKO APP