Arsenali siguron talentin gjeorgjian, e cilësojnë si “Kvaratskhelia i ri”
Arsenali ka hedhur një hap të rëndësishëm për të siguruar një nga talentet më premtues të futbollit gjeorgjian. Sipas raportimeve të Geo Team, klubi londinez ka arritur marrëveshjen për transferimin e Andria Bartishvilit, 17-vjeçarit që aktualisht aktivizohet te Iberia 1999 në huazim nga Kolkheti 1913.
Marrëveshja kap shifrën e rreth 4.5 milionë eurove, ndërsa për talentin gjeorgjian kishte shfaqur interes edhe Liverpooli. Bartishvili pritet të udhëtojë drejt Londrës për t’iu nënshtruar vizitave mjekësore dhe për të firmosur kontratën me Arsenalin.
I konsideruar në Gjeorgji si një prej talenteve që mund të ndjekë gjurmët e Khvicha Kvaratskhelias, Bartishvili ka tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tij në futbollin vendas. Ai është produkt i akademisë së Dinamo Tbilisit dhe debutoi në elitën gjeorgjiane në moshën vetëm 16-vjeçare.
Pavarësisht marrëveshjes me Arsenalin, 17-vjeçari nuk do të mund t’i bashkohet menjëherë skuadrës së parë në Londër. Për shkak të rregullave të FIFA-s për transferimet ndërkombëtare të lojtarëve të mitur, kalimi i tij do të konkretizohet vetëm pasi të mbushë 18 vjeç, në vitin 2027.
KOHA JONË SONDAZH

