Asllani drejt largimit nga Interi, ja skuadra që ka gati ofertën për të
Pas një tjetër sezoni me Interin, Kristjan Asllani e mbyll kampionatin me ndjesinë se është sërish në një udhëkryq për të ardhmen e tij. Mesfushori i kombëtares shqiptare ende nuk ka siguruar një vend titullari te zikaltrit, tre vite pas transferimit nga Empoli.
22-vjeçari është parë kryesisht si zëvendësues i Hakan Çalhanoglu, dhe nëse turku largohet gjatë merkatos, Asllani mund të ketë më shumë hapësira nën drejtimin e trajnerit të ri, Cristian Chivu. Megjithatë, kjo nuk është e garantuar, veçanërisht duke pasur parasysh mospërshtatjen e tij të plotë dhe mungesën e vazhdimësisë në paraqitje, që ka ngritur dyshime mbi rolin e tij në të ardhmen.
Sipas La Gazzetta dello Sport, Fiorentina është një nga klubet më të interesuara për ta afruar mesfushorin shqiptar në rast largimi nga Interi. “Vjollcët” ka qenë e interesuar për të edhe në të kaluarën dhe tani duket se nevoja për një mesfushor është prioritet për klubin toskan.
Aktualisht, Fiorentina është në proces të caktimit të trajnerit të ri, ku rikthimi i Stefano Piolit është alternativa më e mundshme. Në çdo rast, blerja e një mesfushori shihet si e domosdoshme dhe Asllani mund të jetë në krye të listës së objektivave.
Nuk është ende e qartë sa do të kërkojë Interi për kartonin e tij, por klubi milanez e bleu Asllanin për rreth 14 milionë euro nga Empoli në vitin 2022.
KOHA JONË SONDAZH

