Asllani: E falënderoj Interin, por dua të rritem më shumë tek Torino
Pas barazimit 0-0 të Torinos ndaj Fiorentinës, mesfushori shqiptar Kristjan Asllani ka folur për mikrofonat e Sky Sport, duke shprehur entuziazmin për aventurën e tij të re me skuadrën granata.
“Mezi prisja të vishja këtë fanellë. Më ka dashur shumë trajneri dhe e falënderoj. Do të përpiqem t’ia shpërblej në çdo mënyrë. Sot luajtëm si skuadër, nga fillimi deri në fund, duke vuajtur bashkë. Mendoj se kemi një ekip të mirë që mund të bëjë një sezon të madh, por duhet të vuajmë. Jemi të kënaqur me barazimin, edhe pse ndoshta e meritonim diçka më shumë”, – tha Asllani.
I pyetur për ambiciet e Torinos këtë sezon, Asllani u shpreh: “Kemi një skuadër të fortë dhe mund të arrijmë shumë. Duhet të përmirësohemi në pasimin e fundit dhe në konkretizim. Na duhen golat. Kemi një repart ofensiv të shkëlqyer dhe rikthimi i Zapata-s do të na ndihmojë shumë.”
Për përgjegjësitë e tij këtë sezon, mesfushori i kombëtares shqiptare tha se është gati të tregojë vlerat e tij: “Sigurisht që jam gati, përndryshe nuk do të kisha ardhur. Jam i lumtur që jam këtu dhe ndihem gati të luaj. Të jem titullar që në javën e dytë ishte diçka që më mungonte. Te Interi kishte një skuadër shumë të fortë dhe i falënderoj të gjithë që më ndihmuan. Tani jam te Torino dhe duhet të marr më shumë përgjegjësi, sidomos sot kur kisha detyra më mbrojtëse, duke markuar Gudmundsson. Tani shkoj në kombëtare dhe më pas kthehem për të punuar më fort.”
Sa i përket punës me trajnerin Marco Baroni, Asllani vlerësoi filozofinë e tij: “Trajnerit i pëlqen një futboll ofensiv, ashtu si dhe mua. Sot pamë që Fiorentina luante me dy sulmues dhe vendosëm të mbulojmë njeri më njeri. Më pëlqen trajneri, vitin e kaluar kur e sfidoja me Lazion ishte e vështirë, por tani mund të rritem, të mësoj dhe madje edhe të gaboj.”
KOHA JONË SONDAZH

