Asllani i “ngec” në derë Interit, në verë duhet të gjejë një destinacion të ri
Situata e Kristjan Asllanit po kthehet në një çështje shqetësuese për Interin, teksa mesfushori shqiptar nuk ka arritur të bindë gjatë huazimit të tij.
Pas një fillimi premtues në karrierë, Asllani përjetoi një rënie të ndjeshme brenda një sezoni. Fillimisht i huazuar te Torino, ai humbi gradualisht vendin si titullar dhe në janar doli jashtë planeve të klubit. Kjo e detyroi të largohej për herë të parë nga Italia, duke u transferuar te Besiktas.
Megjithatë, aventura në Turqi nuk ka nisur aspak mirë. Sipas La Gazzetta dello Sport, debutimi i tij ishte negativ, pasi u ndëshkua me karton të kuq pas vetëm 7 minutash lojë, duke u pezulluar për dy ndeshje.
Edhe pse më pas arriti të fitojë disa minuta si titullar, statistikat mbeten zhgënjyese: vetëm 1 asist në 8 ndeshje, larg pritshmërive për një lojtar të profilit të tij.
Në këto kushte, gjasat janë të pakta që Besiktas të aktivizojë opsionin e blerjes së kartonit, i cili kap vlerën e 12 milionë eurove.
Kjo do të thotë se në fund të sezonit, Asllani pritet të rikthehet te Interi, duke e vendosur klubin zikaltër përballë një tjetër vendimi për të ardhmen e tij, pavarësisht kontratës që e lidh me klubin deri në vitin 2028.
KOHA JONË SONDAZH

