Atalanta e Gjimshtit fiton duelin direkt për Champions ndaj Bolognës

Në një duel direkt për zonën Champions, Atalanta ka mposht Bolognën me rezultatin 2-0 në “Gewiss Stadium”. Pas tre ndeshjesh pa fitore, bergamaskët u rikthyen te suksesi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke marrë një fitore me shumë peshë për renditje.

Vendasit nisën fuqishëm dhe kaluan në avantazh që në minutën e 3-të me Reteguin, ndërsa Pasalic dyfishoi shifrat në minutën e 21-të, duke i dhënë Atalantës komoditetin për të menaxhuar sfidën. Pavarësisht përpjekjeve të Bolognës për të reaguar, skuadra e Italianos nuk arriti të konkretizonte dominimin e saj në pjesën e dytë.

Fitorja ngjit Atalantën në vendin e tretë me 61 pikë, duke marrë një avantazh të rëndësishëm ndaj rivalëve të saj. Bologna, në anën tjetër, zbret në vendin e pestë me 57 pikë.

SHKARKO APP