Atalanta e rekordeve nuk njeh rivalë as në Europë, ja statistika e frikshme
Atalanta vijon t’i habisë të gjithë këtë sezon, teksa ditën e djeshme dhuroi një paraqitje fantastike ndaj Juventusit, edhe pse në fund doli vetëm me një pikë. Skuadra e Gasperinit nuk mund të konsiderohet më një surprizë pasi në vitet e fundit ka bërë paraqitje shumë të mira.
Klubi zikaltër të shtunën në mbrëmje në “Allianz Stadium”, arriti që të kompletonte 3 futbollistë me të paktën 15 gola gjatë këtij sezoni. Duvan Zapata u bë i fundit, teksa para tij janë Luis Muriel me 17 gola dhe Josip Ilicic me 15 gola. Një statistikë e tillë në Seria A nuk ndodhte që nga sezoni 1951/52, ku shënonin Muccinelli (17), Boniperti (19) dhe Hansen (30).
As në kampionatet e tjera nuk është arritur që një trident sulmues të shënojë mbi 15 gola. Më mirë është PSG me Mbappe 18 gola, Neymar 13 dhe Icardin 12. Në Bundesligë te Bayerni, Lewandowski ka shënuar 24, Gnabry 12 dhe Coutinho 8.
Në La Liga më mirë është Barcelona me Messin që ka shënuar 22 gola, Suarez 15 dhe Griezmann 9, ndërkohë që në Premier League shanse reale për të arritur këtë shifër ka City me Agueron që ka shënuar 16 gola, Sterling 14 dhe De Bruyne 11. Numra shumë pozitiv ka edhe Liverpooli me Salah 19 gola, Mane 16 dhe Firminon 8. /R.Lika-Koha Jone/