Atalanta mund Romën dhe siguron pjesëmarrjen në Champions League

Atalanta ka siguruar matematikisht vendin e tretë në Serie A dhe pjesëmarrjen në edicionin e ardhshëm të Champions League, pasi mposhti Romën me rezultatin 2-1 në “Gewiss Stadium”.

Skuadra e Gian Piero Gasperinit e nisi fuqishëm ndeshjen dhe kaloi në epërsi që në minutën e 9-të me një goditje diagonale të sulmuesit Ademola Lookman, i cili u rikthye në formacion pas dëmtimit. Megjithatë, në pjesën e parë, bergamaskët shpërdoruan disa raste për të dyfishuar, ndërsa Roma barazoi rezultatin në minutën e 32-të me një goditje me kokë nga Bryan Cristante, pas një asisti perfekt të Matías Soulé.

Në pjesën e dytë, trajneri Gasperini bëri lëvizjen e duhur duke futur në lojë talentin Sulemana, i cili në minutën e 76-të shënoi golin vendimtar me një goditje të saktë në cepin e portës. Me këtë fitore, Atalanta feston kualifikimin në Champions League me dy javë nga fundi i sezonit.

Ndërkohë, Roma zbret në vendin e gjashtë në tabelë, pas Juventusit dhe Lazios, duke komplikuar shanset për një vend në Champions.

SHKARKO APP