Atletico i bashkohet garës për të transferuar falas Hysajn
E ardhmja e Elseid Hysaj është kthyer në një telenovelë që nuk po njeh fund. Mbrojtësi shkodran ka qenë shpesh herë pranë largimit nga Napoli, teksa për të interesimi nuk ka munguar nga skuadrat europiane. Së fundmi pjesë e saj është edhe Atletico Madrid, që i bashkohet Romës dhe Marseille, që gjithashtu e kanë kërkuar.
Skuadra që kryeson kampionatin spanjoll në këtë edicion është në kërkim të një mbrojtësi të djathtë. Trajneri Diego Simeone i ka përcaktuar drejtuesve të klubit objektivin e merkatos dhe ai është ylli shqiptar i Napolit.
Kontrata e Hysajt përfundon më 30 qershor 2021 dhe prej 1 janarit, ai ishte i lirë të niste negociatat me një skuadër të re, për t’u transferuar me parametër zero në fund të sezonit. Megjithatë, në Madrid kërkojnë që 26-vjeçari të afrohet prej merkatos së dimrit. Hysaj pret zhvillime pozitive dhe do të pranonte me kënaqësi një aventurë të re në kampionatin iberik.