Atletiko fiton për herë të tretë Europa League, Grizman dopietë në finale (VIDEO)

Atletiko Madrid është fituesi i Europa League për sezonin 2017/18. Skuadra spanjolle ka mposhtur në finalen e Lionit në shifrat 3-0 ekipin e Olimpik Marsejës. Sfidën e vendosi Antoni Grizman, i cili ishte në një mbrëmje magjike, duke shënuar të dy golat që vendosën fatin e takimit. Trajneri Diego Simeone e nisi ndeshjen me Korrean nga minuta e parë duke lënë në stol Thomas, dhe në fakt u shpërblye me zgjedhjen e tij. Finalja nisi me shumë ritëm, teksa Marseja mori iniciativën në minutat e para. Valeri Zherman ka shansin e artë në minutën e 4-t për të kaluar në avantazh ekipin e Garsias, por i vetëm përballë portierit Oblak, ai godet shumë keq. Marsejezët janë dominues në mbajtjen e topit dhe kanë nën kontroll lojën, por Atletiko do të kalonte në avantazh. Portieri Mandanda bën një gabim trashanik së bashku me mbrojtësin e tij Amavi, duke i dhuruar topin Grizman.

Ylli i Atletikos, e ka shumë të thjeshtë për të realizuar një penallti në lëvizje. Lajmet e këqija nuk kanë fund këtu, pasi kapiteni i Marsejës e mbyll ndeshjen që në minutën e 32-të, pasi nuk vijon dot që të luajë për shkak të një dëmtimi muskulor. Largimi i tij ja bën edhe më të thjeshtë spanjollëve, të cilët e kanë më të thjeshtë që të ndalin aksionet e ekipit të Garsias. Fraksioni i dytë nis më mirë për “Los Kolçoneros” që hidhen në sulm për të gjetur dhe golin e dytë. Ekipi i Simeones do të shpërblehej menjëherë, pasi në minutën e 49-të gjejnë sërish rrugën e rrjetës, me të njëjtën autor: Antoni Grizman. Sulmuesi francez merr një pasim magjik në zonë nga koke, dhe më as me shumë elegancë e ka kaluar topin mbi portierin Mandanda. Sulmuesi që sezonin e ardhshëm mund ta shohim te Barcelona është përfshirë në 45 për qind të 94 golave (29 gola, 13 asist) të shënuar nga Atletiko në të gjitha kompeticionet gjatë këtij sezoni. Më pas sfida vijoi me dominimin e Atletikos që kishte një mundësi shumë të mirë me Diego Godin, por goditja e mbrojtësit me kokë përfundoi jashtë kuadratit.

10 minuta nga fundi i kohës së rregullt, sulmuesi Mitroglu i hedhur në fushë në pjesën e dytë nga trajneri Garsia godet bukur me kokë, por për fatin e tij të keq, topi përplaset në shtyllë dhe më pas shkon jashtë. Francezët duket se rigjejnë “energjitë” e fshehura, dhe kërcënojnë sërish portën e Oblak, i cili vendoset në provë nga një goditje e Amavi në hyrje të zonës. Kur u ndezën shpresat e Marsejës, Atletiko shënon dhe golin e tretë me kapitenin Gabi që vulos fitoren. Kjo është hera e tretë që Atletiko fiton Europa League, pasi kujtojmë se e ka fituar dy vite radhazi në sezonin 2009/2010, dhe 2011-2012. Ekipi i Simeones ka siguruar tashmë dhe finalen e Superkupës së Europës, që këtë vit do të mbahet në Baku. /Koha Jonë/

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?