Avokati anglez: Messi s’do të lejohet që të futet në Angli pas daljes nga Brexit
Besojeni ose jo, por Lionel Messi mund të mos ketë të drejtë për të udhëtuar në Britaninë e Madhe, pas daljes së Anglisë nga Brexit. Avokati i Emigracionit, Andrew Osbourne i firmës Lewis Silkin, ka paralajmëruar se shumë futbollistë do të kenë probleme të mëdha. Ai ka sqaruar se i pari që mund të ketë probleme mund të jetë Lionel Messi.
“Ekziston një pikë specifike rreth ndeshjeve në Europë. Nëse je një qytetar i BE-së me një dënim penal, mund të udhëtosh në Mbretërinë e Bashkuar, për aq kohë sa nuk vlerësohesh se je kërcënim për sigurinë kombëtare.
Nëse je qytetar i BE-së dhe ke një dënim me burg të shpallur, edhe nëse është pezulluar, nuk mund të shkosh në Mbretërinë e Bashkuar. Ka një numër të madh futbollistësh të famshëm me dënime për evazion fiskal. Ata deri më tani nuk janë shqetësuar për faktin se kanë pasur pasaporta të BE-së. Pas Brexit, ata mund të mos lejohen që të hyjnë, pasi nuk do të trajtohen më si shtetas të Bashkimit Europian.
Kushdo që ka një dënim me burg të çfarëdolloj, nuk do të lejohet që të futen. Kjo mund të sjellë probleme në skuadrat që marrin pjesë në Champions League, apo nëse do të luhen finale brenda territorit të Anglisë. Klubet duhet të ndërmarrin masa”, ka sqaruar avokati Osbourne.
Lionel Messi ka një dënim prej 21 muajsh nga gjykata spanjolle për mashtrim tatimor. Nëse Britania del nga BE, hyrja e tij në Mbretërinë e Bashkuar, do të jetë e vështirë edhe në ndeshjet e Champions League. /Rozalb Lika-Koha Jone/